
Krahas shumë problemeve me ujin e pijshëm, Ndërmarrja Publike Komunale “Sharri” në Tetovë, përballet edhe me mos pagesën në rregullt të faturave të ujit. Ndonëse ka një përmirësim të pagesës së faturave nga ana e qytetarëve krahasuar me vitet e mëparshme, megjithatë ndërmarrja thekson nevojën që qytetarët të jenë më të rregullt në shlyerjen e obligimeve me qëllim që të shmangen procedurat e përmbarimit.
“Ju njoftojmë se pas dy javësh përfundon afati i fundit për pagesën e faturave të ujit. Me shumë mirëkuptim ju bëjmë thirrje që t’i shlyeni obligimet tuaja ndaj ndërmarrjes, në mënyrë që të shmangni pasoja të panevojshme financiare dhe procedura përmbarimore, të cilat ligjërisht jemi të detyruar t’i zbatojmë për rastet e papaguara”, thuhet në apelin e Ndërmarrjes Publike Komunale “Sharri”.
Sipas informacioneve nga Ndërmarrja “Sharri”, niveli i pagesës së faturave të ujit është rreth 70 për qind dhe ky nivel nuk është i mjaftueshëm edhe pse ka përmirësim të dukshëm të pagesës krahasuar me vitet e mëparshme. Më tej nga Ndërmarrja Publike Komunale “Sharri” thonë se përmes pagesës së rregullt të faturave të ujit, do të rriten edhe investimet në rrjetin e ujësjellësit dhe përmirësimin e cilësisë së ujit.
“Çdo pagesë që bëni, ndihmon që të mirëmbajmë rrjetin, të investojmë në përmirësimin e shërbimeve dhe të sigurojmë ujë të pastër e të qëndrueshëm për të gjithë. Së bashku kujdesemi për Tetovën tonë, për çdo pikë uji që është bekim për jetën”, qëndron në apelin e ndërmarrjes Sharri.
Ndryshe, muajt e fundit janë shtuar problemet me furnizimin me ujë të pijshëm në qytetin e Tetovës. Defektet e njëpasnjëshme në rrjetin e ujësjellësit, në rrjetin shpërndarës kanë bërë që shpesh herë qytetarët e Tetovës të përballen me mungesë të ujit.
Në ndërkohë, ende nga Komuna e Tetovës nuk ka informacioneve zyrtare se a do të ketë investime më të mëdha në rrjetin shpërndarës brenda në qytet i cili është tepër i vjetruar. Ndërkaq, në Tetovë brenda dy viteve gjithsej duhet të vendosen 40 mijë ujëmatës ku do të përfshihen bizneset dhe amvisëritë. Ndërsa vetëm për bizneset e mëdha dhe të vogla janë tre mijë ujëmatës që duhet të vendosen. Problemi me ujin më shumë shfaqet në Tetovë gjatë sezonit të dimrit, kur ka më pak prurje nga burimet në ujësjellës. Ndërkaq, vendosja e ujëmatësve pritet që të sjellë ndarje të barabartë të ujit. (koha.mk)



