BotaLajme

Kievi e akuzon Rusinë për “terrorizëm bërthamor” pas sulmeve ndaj nënstacioneve elektrike

Agjencia bërthamore e OKB-së tha se incidentet pranë termocentraleve bërthamore të Ukrainës jugore dhe Hmelnitski i kanë shkëputur këto objekte nga linjat e jashtme të energjisë elektrike.

Ajo shtoi se një stacion i tretë, ai në Rivne, ishte detyruar ta ulte prodhimin në dy nga katër reaktorët e tij për shkak të sulmeve.

“Rreziqet për sigurinë bërthamore mbeten shumë reale dhe të vazhdueshme. Edhe një herë bëj thirrje për përmbajtje maksimale ushtarake në afërsi të objekteve bërthamore”, tha drejtori i përgjithshëm i IAEA-së, Rafael Grossi.

Tensione të larta rreth centralit të Zaporizhjas

Vëmendja kryesore është përqendruar në centralin bërthamor të Zaporizhjas, në juglindje të Ukrainës, ku po zhvillohen punime për riparimin e dëmeve nga sulmet e mëparshme.

“Ne po punojmë intensivisht për të krijuar kushtet e nevojshme që këto riparime shtesë të nisin. Rikthimi i kësaj linje të energjisë është thelbësor për përmirësimin e situatës së brishtë të sigurisë bërthamore në këtë vend”, tha Grossi.

Ky central – më i madhi në Evropë – është nën kontrollin rus që prej fillimit të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Moska në shkurt të vitit 2022.

Ai ka punuar me gjeneratorë rezervë me naftë që prej 23 shtatorit, kur u ndërprenë linjat e jashtme të energjisë.

Gjashtë reaktorët e centralit të Zaporizhjas janë të mbyllur tash e tri vjet dhe nuk prodhojnë më energji elektrike, por iu nevojitet rryma për sistemet e sigurisë, siç janë pompat ftohëse, për ta shmangur ndonjë aksident bërthamor.

Rusia mohon se e godet infrastrukturën civile, pavarësisht provave të shumta që e dëshmojnë të kundërtën. Ukraina i është kundërpërgjigjur Moskës duke goditur objekte me rëndësi ushtarake, shpesh thellë brenda territorit rus.

Më 31 tetor, Kievi njoftoi se kishte kryer rreth 160 sulme ndaj objekteve të industrisë së naftës ruse gjatë vitit 2025, duke synuar një burim të rëndësishëm financimi për luftën e Moskës.

Vendet perëndimore kanë vendosur gjithashtu sanksione ndaj sektorit energjetik rus, duke e kufizuar më tej rrjedhën e parave drejt Kremlinit/RadioEvropaeLirë/.

Related Articles

Back to top button
Close
Close