
Të dielen e 26 tetorit, në orën 10:00 në Kuvendin e Kosovës do të mbahet seanca për formimin e qeverisë së re.
Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje, më 11 tetor është mandatuar nga presidentja, Vjosa Osmani për të paraqitur para parlamentit programin dhe përbërjen e ekzekutivit.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, më 15 tetor lidhur me një ftesë për bashkëpunim nga Lëvizja Vetëvendosje tha se “kot e dërgon LVV-ja ftesën”.
Deputetë të tjerë nga partia e dytë ndërkohë deklaruan se PDK-ja nuk ka votë për formimin e qeverisë nga Lëvizja Vetëvendosje.
Ai Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do votojë për Kurti 3.
“Nuk kemi pasur kontakte as në distancë që nga letra e fundit para disa muajve. Duhet ta mësojmë elektoratin me një politikë që i qëndron besnik fjalës, ka mbaruar koha kur themi po e bëjmë jo për disa gjëra. Qëndrimi i LDK-së është i pandryshueshëm. Kemi dallime thelbësore me LVV-në, është kontribut kombëtar i LDK duke mos bashkëpunuar me një lëvizje që ka ngjallë urrejtje, ndarje, përçarje, e që e ka izoluar Kosovën”, tha më 23 tetor, Lumir Abdixhiku, kryetari i LDK-së
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se ka interesim të zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje për të arritur një marrëveshje për bashkëqeverisje, por që nuk janë të interesuar për një koalicion me Kurtin.
Kryetari i NISMA-s Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka reaguar ashpër ndaj idesë për të mbështetur qeverinë Kurti, duke deklaruar prerazi se nuk do ta votojë atë.
“Jo, nuk votoj. Jo me Dimal Bashën,” ka thënë Limaj.
Albin Kurti që është nisur për të formuar qeverinë të dielen ka vetëm 56 vota për, 48 deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe 8 nga minoritetet joserbe.



