
Kandidati i AKI-së për kryetar të Tetovës, Bajram Rexhepi është prononcuar pak para heshtjes zgjedhore.
Ka falënderuar tetovarët për mbështetjen, ndërkaq ka deklaruar se vota për të, është votë për të ardhmen e përbashkët, për Tetovën që duam.
“I dashur bashkëqytetari im tetovar,
Unë e di se secili nga ju e do këtë qytet. Secili në mënyrën e vet, disa kujdesen më shumë, disa më pak, por të gjithë e mbajmë Tetovën në zemër.
Kaluam një fushatë të gjatë, intensive dhe dinjitoze. Trokitëm në çdo derë, vizituam çdo lagje, çdo vendbanim e çdo fshat. Biseduam zemërhapur, shkëmbyem ide, dëgjova shqetësimet tuaja dhe ndjeva dashurinë tuaj për Tetovën tonë.
Nga çdo takim mora besim, nga çdo shikim mora forcë, dhe nga çdo fjalë motivin për të mos u ndalur.
Të dielën, më 19 tetor, ju ftoj të dilni dhe të votoni të lirë, me bindje dhe me krenari. Votoni për dinjitetin që Tetova e meriton, për shpresën që e kemi ndezur bashkë, për punën që na pret nga e hëna.
Kjo nuk është një votë për mua, është votë për të ardhmen tonë të përbashkët, për Tetovën që duam dhe që do ta ndërtojmë bashkë.”, tha Rexhepi.



