
“Në Çair, çdo qytetar do ta ketë vendin e tij në punë, në institucion, në jetën publike dhe në çdo hap të përditshmërisë.” Me këtë mesazh të qartë, kandidati për kryetar të Komunës së Çairit nga radhët e koalicionit qeverisës VLEN, z. Izet Mexhiti, e hapi konferencën e sotme për shtyp, duke paraqitur vizionin e tij për një Çair të barabartë dhe përfshirës, ku dinjiteti njerëzor dhe mundësitë e barabarta janë në qendër të çdo politike lokale.
Të nderuar qytetarë,
Të respektuara media,
Në programin tonë, kujdesi dhe përfshirja e personave me aftësi të kufizuara është një nga shtyllat kryesore.
Në bashkëpunim me organizatat që punojnë në këtë drejtim, do të ndërtojmë politika afatgjata për akses në arsim, në shërbime shëndetësore, në transport dhe në hapësirat publike.
Ky angazhim fillon nga unë vetë, nga kabineti im.
Prandaj sot dua të ndaj me ju lajmin se z. Qamuran Ismaili një njeri dhe profesionist i jashtëzakonshëm, do të jetë pjesë e kabinetit tim si këshilltar.
Qamurani nuk do të jetë në kabinetin tim për simbolikë, por për ndikim.
Zëri i tij është zëri i një komuniteti që meriton të dëgjohet. Përvoja e tij është urë mes institucioneve dhe qytetarëve që shpesh ndihen të harruar.
Duke filluar nga kabineti im, ne po e kthejmë këtë angazhim në realitet.
Çairi do të bëhet shembull i përfshirjes, i barazisë dhe i respektit për çdo qytetar.
Sepse përfshirja e secilit njeri nuk është privilegj, është e drejtë.
Çairi do të jetë shembull i një komune që nuk ndan, por bashkon; që nuk përjashton, por fuqizon; që nuk flet për njerëzit, por i dëgjon ata dhe punon bashkë me ta.



