
Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim për Komunën e Çairit, Bujar Osmani, thekson se Çarshia e Çairit është aseti më i madh kulturor, ekonomik dhe shpirtëror i komunës por sot ndodhet në një gjendje të mjerueshme informon Tetovasot.
Ai shton se në rrugët e Çarshisë njerëzit shpesh rrezohen, qentë endacakë lëvizin lirshëm, dhe çadrat e tregtarëve janë zbehur nga dielli. “Aty ku duhet të shohim historinë e gjallë, kemi lënë pas dore trashëgiminë tonë. Vizioni ynë është të restaurojmë një Çarshi të gjallë, që bashkon të kaluarën me modernen,” thekson kandidati i AKI-së.
“Ne do t’ia kthejmë Çarshisë karakterin e saj historik. Mjafton të shohim fotografitë e vjetra për të kuptuar se çfarë simboli kemi humbur dhe çfarë duhet të rikthejmë bashkë,” përfundon Osmani.



