LajmeMaqedoniTopLajm

Valbon Limani promovon tre investime të reja në Çegran: Projektet janë investime nga taksat e qytetarëve

Komuna e Gostivarit ka nisur zbatimin e tre projekteve të rëndësishme infrastrukturore në fshatin Çegran, të cilat u prezantuan sot nga kryetari i komunës, Valbon Limani. Bëhet fjalë për asfaltimin e rrugës së varrezave me gjatësi mbi 1,200 metra, shtrimin me pllaka bekatoni të tetë rrugëve lokale si dhe fillimin e ndërtimit të kanalizimit fekal për linjën kryesore.

Vizita e Limanit në këtë fshat nisi te rruga e varrezave, për të cilën ai bëri të ditur se është projekt i bashkëfinancuar nga Komuna e Gostivarit dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut, përmes kredisë hungareze. Ndërkohë, rrugët e shtruara me pllaka bekatoni janë financuar plotësisht nga buxheti komunal.

“Janë investime të nevojshme për komunitetin, të realizuara me paratë e qytetarëve. Nuk ka rëndësi kush i zbaton – ato janë pronë e përbashkët e të gjithë banorëve,” tha Limani, duke theksuar rëndësinë e transparencës dhe llogaridhënies në administrimin e fondeve publike.

Në fshatin Çegran kanë nisur gjithashtu punimet për ndërtimin e linjës kryesore të kanalizimit fekal. Kryetari Limani kujtoi se gjatë viteve të fundit janë realizuar mbi 15 kilometra rrjet kanalizimi dytësor, ndërsa ky projekt i ri shënon një fazë të rëndësishme për përmirësimin e infrastrukturës sanitare, pasi bëhet fjalë për linjën kryesore të kanalizimit.

Ai shtoi se për mandatin e ardhshëm planifikohen projekte të reja kapitale për këtë zonë, që do të përfshijnë edhe fusha të tjera të rëndësishme për zhvillimin lokal.

Related Articles

Back to top button
Close
Close