
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, përmes një konference për shtyp shpjegoi angazhimet e tij për projekte në fushën e kulturës nëse e fiton mandatin e dytë nga qytetarët. Ai shpjegoi se në fillim të mandatit të parë u organizuan dhjetëra ngjarje, aktivitete, festivale dhe organizime të ngjarjeve kulturore.
“Në mandatin e parë e ringjallëm shpirtin kulturor të Tetovës, pas një periudhe të gjatë letargjie dhe mosinteresimi nga ana e komunës. Tetovën e rikthyem në kryeqendër kulturore dhe artistike për qytetarët tanë, ashtu siç i ka hijë qytetit tonë, me dhjetëra ngjarje dhe aktivitete, festivale dhe organizime. “Vera tetovare” i bëri bashkë të gjitha gjeneratat në qytetin tonë, në një festë të jetës, artit, kulturës dhe sportit. U kujdesëm që Tetova t’i pasqyrojë edhe vlerat e saj historike. Rrugën e Butiqeve e bëmë me kalldërm, duke ia dhënë pamjen që e meriton”, theksoi Kasami.
Ai paralajmëroi se përkrahja për kulturën dhe artin do të vazhdojë edhe në mandatin e ardhshëm.
“Një prej projekteve më të rëndësishme është ndërtimi i Sahat Kullës këtu në këtë lokacion, pranë Xhamisë së Sahatit, aty ku ka qenë Sahat Kulla e parë para disa shekujsh. Kështu Tetovës ia rikthejmë identitetin e vet origjinal dhe e shtojmë një tjetër atraksion turistik në qytetin tonë të pasur. Përveç kësaj, ndërtojmë edhe bibliotekë dhe leximore moderne në qytet, të pajisura me literaturë bashkëkohore, si hapësira ku të rinjtë mund të mësojnë dhe të zhvillohen. Themelojmë qendrën kulturore komunale, themelojmë manifestime të reja kulturore dhe artistike, përkrahim krijuesit e rinj. Tetova do të jetë qytet i gjallë dhe shumë aktiv në art e kulturë”.



