
Të paktën dy dronë u vunë re nga policia në zonën e aeroportit të Mynihut, i cili u mbyll si masë paraprake nga ora 21:28 (ora lokale), duke prekur rreth 6,500 udhëtarë.
Në aeroport, i cili do të rihapet në orën 05:00, qindra udhëtarë po qëndrojnë gjatë natës, fluturimet e të cilëve ose janë anuluar ose shtyrë. Në total, 23 fluturime hyrëse u devijuan në aeroportet e Shtutgartit dhe Nurembergut, ndërsa 12 të tjera u anuluan. Nga nisjet, 46 fluturime u anuluan ose u shtynë për sot (e shtunë). Në shumë raste, udhëtarët kishin hipur tashmë në aeroplan dhe u detyruan të zbrisnin përsëri nga aeroplani.
“Ashtu si natën e kaluar, Aeroporti i Mynihut, në bashkëpunim me linjat ajrore, menjëherë ofroi ndihmë për pasagjerët në terminale. U vendosën shtretër kampingu dhe u ofruan batanije, pije dhe ushqime të lehta”, njoftoi aeroporti.



