
Organizatorët e festivalit “Skena e Muzikës Serioze Shqiptare” kanë reaguar ashpër ndaj kushteve të reja të konkursit të Ministrisë së Kulturës për mbështetje financiare, të cilat sipas tyre diskriminojnë festivalet shqiptare. Ata thonë se në vend që të vlerësohet cilësia artistike, financimi kushtëzohet me kritere mbi “vjetersinë” e manifestimeve, duke i përjashtuar në mënyrë të padrejtë ngjarjet kulturore shqiptare.
“Vitin e kaluar për herë të parë u vendos një kusht absurd: festivalet për të marrë buxhet maksimal duhet të kishin mbi 40 vite traditë. Ky kriter përjashton në mënyrë të qartë manifestimet shqiptare. Këtë vit, në vend që të korrigjohet ky gabim, është vendosur një tjetër shifër arbitrare: 35 vite “traditë”, që përsëri diskriminon festivalet shqiptare. Në vend që të vlerësohet cilësia e programeve artistike, mbështetja financiare kushtëzohet nga kriteret e moshës”, thonë organizatorët e “Skena e Muzikës Serioze Shqiptare”.
Ata thonë se prej vitesh kanë kërkuar që festivali i tyre të shpallet manifestim shtetëror, siç kanë festivale të ngjashme maqedonase. Megjithatë, siç theksojnë, zyrtarët shqiptarë në Ministrinë e Kulturës, me justifikimin se “nuk kanë fuqi politike”, nuk kanë ndërmarrë asnjë hap konkret për të zgjidhur këtë padrejtësi.
“Kërkojmë publikisht: Heqjen e menjëhershme të kushtit absurd mbi “vjetersinë” e festivaleve, duke u bazuar vetëm në cilësinë artistike dhe programore. Transparencë dhe barazi reale në ndarjen e buxheteve për të gjitha festivalet, pa standarde të dyfishta. Shqyrtimin e kërkesës sonë të hershme për statusin shtetëror të festivalit shqiptar, si hap drejt barazisë kulturore. Arti nuk matet me vite kalendarike, por me vizion, ide dhe ndikim shoqëror. Çdo përpjekje për të penguar festivalet shqiptare në Maqedoni është një përsëritje e padrejtësive historike, të cilat nuk duhet të kenë vend në një shtet që pretendon barazi qytetare”, thanë nga “Skena e Muzikës Serioze Shqiptare”.
Për këtë çështje kërkuam qëndrim nga deputetja dhe kryetarja e Komisionit për Kulturë, Saranda Imeri Stafai, por ajo nuk iu përgjigj kërkesës së redaksisë.
Nga Kabineti i zëvendësministrit të kulturës, Sedat Sulejmanit na njoftuan se janë duke pritur përgjigje nga Komisioni i konkursit.
“Ua kam dërguar komisionit që e kanë përgatitur konkursin, presim që ata të përgjigjen, në moment që i marrim përgjigjet ua dërgojmë”, thanë nga atje.
Deri në publikimin e tekstit, nuk morëm përgjigje.



