
Lideri i VMRO-DPMNE-së dhe kryeminsitri Hristijan Mickoski, në mitingun e sotëm në Negotinë, që është pjesë e fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale me moton “Zgjedhja e vërtetë! Njeriu yt! Vendi yt! Për të ardhmen tënde!”, deklaroi se VMRO-DPMNE dhe koalicioni i saj janë e vetmja alternativë reale, që do të çojë përpara dhe do të ndërtojë të ardhmen, ndërsa si kundërshtarë i përmendi LSDM-në, BDI-në, të cilat, sipas tij, mbështeten edhe nga partia E Majta (Levica).
Mickoski theksoi se kjo koalicion opozitar është garanci për kthim prapa, stagnim dhe krizë të thellë, duke akuzuar se ato parti nuk kanë ardhur asnjëherë në pushtet përmes zgjedhjeve të ndershme, por përmes intrigave, lojërave të nëndheshme dhe manipulimeve – ashtu siç, sipas tij, po bëjnë edhe tani, njofton TS.
Nga skena në Negotinë, ai dërgoi një mesazh të drejtpërdrejtë për drejtuesit e BDI-së, duke mohuar akuzat që i bëhen se është “shqiptarofob” dhe duke u deklaruar si “kriminalofob” – dikush që e urren krimin dhe ata që e bëjnë atë në politikë.
“Në çdo miting i dëgjoj drejtuesit e BDI-së, si më quajnë kështu e ashtu, përmendin shqiponja, lepuj dhe në fund më quajnë shqiptarofob. Ja ku po ju përgjigjem nga Negotina:
Nuk jam as shqiptarofob, as ksenofob, e as njeri që ka problem me përkatësinë etnike të asnjë bashkëqytetari tim në atdheun tonë të përbashkët, Maqedoninë.
Por, po – unë jam kriminalofob dhe i përçmoj ata politikanë që në politikë hynë të varfër, ndërsa dolën milionerë.
Ata që u pasuruan mbi kurrizin e qytetarëve, që ndërtonin pallate, blinin qendra tregtare, zyra luksoze në qendër të Shkupit, makina luksoze si Maybach – dhe të gjitha këto me paratë e popullit tonë.
Po, unë jam kriminalofob, dhe të gjithë, nga i pari deri te i fundit, do të përgjigjeni për krimin që keni bërë!”, përfundoi Mickoski./TS


