
Në palestrën sportive “Nikolla Shtejn” në Tetovë, të dielën u mbajt edicioni i 22-të me radhë i turneut tradicional dhe ndërkombëtar të karatesë “Tetova Open 2025”. Ky turne, që tashmë është kthyer në një traditë të rëndësishme sportive, mblodhi rreth 400 garues nga 60 klube të ndryshme nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi.
Organizatorët shprehën kënaqësinë e tyre për pjesëmarrjen e lartë dhe nivelin e lartë teknik të garuesve që morën pjesë në këtë ngjarje sportive.
Risia e këtij edicioni ishte ndarja e shpërblimeve financiare për fituesit në kategoritë kadet dhe junior, si në disiplinën e katave ashtu edhe në kumite – një hap që synon të motivojë edhe më shumë të rinjtë në rrugëtimin e tyre sportiv.
Pas një gare të fortë dhe konkurruese, klubet më të suksesshme të këtij viti, sipas numrit të medaljeve të fituara, ishin:
1. Klubi i Karatesë “Forca” – Shkup
2. Klubi i Karatesë “Bashkimi” – Kumanovë
3. Klubi i Karatesë “Bonsai” – Prilep
Organizatori kryesor, Klubi i Karatesë “Fati” nga Tetova, shprehu angazhimin e tij për të vazhduar me organizimin e këtij turneu edhe në vitet e ardhshme, duke ruajtur profesionalizmin dhe përvojën që e karakterizon këtë ngjarje sportive ndërkombëtare.
Një falënderim i veçantë u shkon të gjithë atyre që kontribuan në mbarëvajtjen e këtij turneu, veçanërisht SHKA “Jehona e Malësisë” për mbështetjen dhe bashkëpunimin e çmuar, klubeve pjesëmarëse, garruesve, referëve si dhe të gjithë donatorëve dhe sponsorëve që bënë të mundur realizimin e këtij aktiviteti madhështor sportiv.



