
Deputetja e Bashkimit Demokratik për Integrim përmes një postimi ka reaguar ndaj reklamave të qeverisë përmes të cilave po mundohen të fshehin poshtërimin dhe defaktorizimin e shqiptarëve në institucionet e vendit duke pariqitur këto dështime si arritje historike, shkruan Top24
Dështimet paraqiten si “arritje historike” nga kjo qeveri
Qeveria aktuale ka arritur të zhvillojë një “aftësi” të veçantë, çdo dështim ta kthejë në “arritje historike”. Ky është një laborator i vërtetë i propagandës politike, ku transformohen faktet e riciklohen dështimet dhe të njejtat shiten si suksese.
Ky fenomen duket se është strategji e qëllimshme për të mbuluar mungesën e rezultateve reale.
Lista e shembujve është e gjatë dhe e rëndë:
– Nënçmimi: pamë politikan që i kërkojnë falje kryeministrit vetëm pse e bëjnë simbolin e shqiponjës, sikur ai të ishte akt i ndaluar. Shembull i frikshëm i kompleksit politik dhe mungesës së dinjitetit kombëtar.
– Korrupsioni: derisa në fjalime dënohet me tone të ashpra, në praktikë tenderat ndahen për biznese private.
-Dezinformimi i opinionit: qytetarët bombardohen çdo ditë me deklarata që nuk kanë asnjë lidhje me realitetin, vetëm për të justifikuar qëndrimin e tyre në pushtet dhe shfrytëzimin e burimeve publike.
-Veprat e kundërligjshme: dëshmitë nga terreni flasin për aktivizim të strukturave për blerjen e votës, duke e dëmtuar procesin demokratik.
– Përjashtimi dhe refuzimi sistematik: në shënimin e 30-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerilës, mungesa e plotë e përfaqësuesve shqiptarë në qeveri ishte një mesazh i qartë se për çështjet strategjike shqiptari nuk ka vend në tavolinë.
– Heshtja për votimin në OKB: kur Maqedonia e Veriut votoi bashkë me Serbinë kundër kërkesës së Polonisë për mbrojtje nga rreziku rus, qeveria zgjodhi heshtjen. Një akt i tillë meritonte sqarim të qartë për qytetarët.
-Relativizimi i historisë: së fundi, dëgjuam nga eksponentë të lartë të pushtetit se edhe lufta e vitit 2001 paska qenë “e kotë”, duke fyer kujtesën kolektive dhe sakrificën e atyre që luftuan dhe dhanë jetën për avansimin e të drejtave të shqiptarëve.
-Mashtrimi: zv.kryeministri i parë në një intervistë, sot deklaron se e kanë sjellë ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, një e pavërtetë e madhe.
Duke qenë dëshmitarë të zhvillimeve politike, as nuk habitemi e as nuk pyesim, por konstatojmë se ky pushtet ka marrë teposhtën; përfaqësuesit shqiptarë në qeveri nuk ju shërbejnë shqiptarëve; ky shtet ka devijuar që moti nga rruga euroatlantike dhe se shqiptarët (të gjindur në mes të këtij kaosi) nuk guxojnë të heshtin sepse heshtja do të thotë legjitimim i kësaj situate që është një hipokrizi politike e nivelit më të lartë, një kombinim i propagandës, klientelizmit dhe mungesës së përgjegjësisë.



