
Mbrojtja e ish drejtorit mjekësor dhe ekonomik të Klinikës për radioterapi dhe onkologji Shkup, Nino Vasev dhe Nehat Nuhi, pohon se akuza për rastin “Onkologji 2” për punë të pandërgjegjshme dhe krim financiar kundër tyre është e pabazë dhe politikisht e montuar në bazë të ekspertizës ekonomike nga persona, të cilët po ashtu janë inkriminuar, duke cekur se bëhet fjalë për drejtorët paraprakë mjekësor dhe ekonomik të Klinikës, të cilët janë ndërruar nga Vasevi.
I pandehuri i parë Nino Vasev, para Gjykatës tha se nuk ndjehet fajtor, se tërë jetën, 35 vjet punon në Onkologji dhe çdoherë qëllim ka pasur të shpëtohen jetë njerëzore.
“Unë jam drejtor nga viti 2017 dhe kam trashëguar revers nga një drejtor, të cilin e kam zëvendësuar dhe i cili është nënshkrues i raportit ekspert kundër meje në këtë rast, ndërsa ekspertiza e dytë ekonomike u nënshkrua nga drejtori i dytë ekonomik, i cili u shkarkua me kërkesën time për shkak të abuzimit financiar. Në aktakuzë më janë hequr gjashtë muaj nga mandati ku mund të shihni se çfarë kam trashëguar saktësisht dhe si është ulur borxhi nga 35 milionë në 30 mijë. Dëshiroj të shoh se si kemi arritur të zgjidhim borxhet e trashëguara dhe mungesën e ilaçeve duke marrë reverse të supozuara, në mënyrë që të mund të konsiderohemi se gjoja kemi shkaktuar dëme”, deklaroi Vasev.
Lidhur me informatat nga Prokuroria se FSSH është sjellur në huti, Vasev tha se duhet të shihet se tenderët onkologjikë i ka bërë Ministria e Shëndetësisë, ndërsa Klinika vetëm i ka paguar, duke thënë se anulimi i tenderit prej pesë muajve në vitin 2020 do të thotë mungesë të ilaçeve dhe terapisë së pacientëve.
Mbrojtësi i Vasevit, avokati Martin Mitrevski tha se gjatë procedurës para Gjykatës do të dorëzohen prova materiale, prej të cilave, nëse interpretohen dhe zbatohen drejtë, në asnjë nga veprimet e ndërmarra të aktakuzës nuk mund të ekzistojnë kualifikime juridike, për të cilat janë akuzuar.
Nehat Nuhi, para Gjykatës tha se ndjehet i pafajshëm dhe të njëjtën do ta dëshmojë në procedurë.
“Ndjehem i pafajshëm dhe këtë do ta dëshmoj. Pafajësia ime do të dalë si nga provat materiale, ashtu edhe nga ato verbale, të cilat i dorëzojmë, para së gjithash në ekepertizën materiale ekonomike, prej së cilës të gjithëve do t’u bëhet e qartë sa lëshime ka bërë Prokuroria, se të gjitha afatet janë kaluar dhe ekspertizat e tyre janë të pasakta”, deklaroi Nuhi.
Avokatja Anita Begova, avokate mbrojtëse e të pandehurit të dytë, Nuhi, në fjalën e saj hyrëse tha se ata po përballen me një aktakuzë konfuze dhe të paqartë, të cilën e vlerësoi si të sajuar politikisht.
“Kjo është aktakuzë politike e sajuar pa prova. Sot nuk jemi këtu për të zbuluar të vërtetën për mungesën e ilaçeve, por për dy profesionistë të sakrifikuar për mbulimin e personave të tjerë përgjegjës në një nivel më të lartë”, tha Begova.
Gjykimi vazhdon më 16 shtator me marrjen në pyetje të dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria.



