
Ambasadorët shqiptarë të akredituar nëpër botë do të jenë në Tiranë gjatë 3 ditëve në vijim për të marrë pjesë në konferencën vjetore ‘Diplo2025’.
Me titull “Shqipëria 2030: në Evropë, e ndërlidhur me botën”, konferenca do të zhvillohet në formën e paneleve me pjesëmarrjen e ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë. Është parashikuar që një pjesë e paneleve të jenë të hapura ndërsa një pjesë e mbyllur.
Diskutimet do të fokusohen në integrimin evropian të Shqipërisë dhe të rajonit, diplomacinë ekonomike, si edhe në çështjet e sigurisë rajonale e globale.
Kjo konferencë shërben si një pikëtakim i shërbimit të jashtëm për të përcaktuar prioritetet, për të adresuar sfidat kryesore dhe për të forcuar shërbimin konsullor për qytetarët shqiptarë.



