
Forumi Rinor BDI në Çair ka reaguar sot ndaj, siç thuhet, promovimit të projektit për Qendrën Rinore nga kandidati i VLEN për Komunën e Çairit, z. Izet Mexhiti.
“E vërteta është se ky nuk është as projekt i ri, as ide inovative, por një riamballazh i premtimeve të pambajtura dhe vizioneve të dështimit, të cilat qytetarët e Çairit, dhe veçanërisht të rinjtë, i kanë dëgjuar më parë. Është ironike që i njëjti projekt, me të njëjtat fjalë, të njëjtat skema dhe të njëjtin entuziazëm iluziv ishte premtuar edhe më parë nga z. Visar Ganiu, për të mos u realizuar asnjëherë”, thonë nga Forumi Rinor i BDI-së.
Në vend të objektit të premtuar modern, thuhet më tej në reagim, Ganiu asokohe manipuloi opinionin publik duke e paraqitur një Qendër Rinore të vendosur në një objekt të adaptuar, të themeluar nga Ambasada e SHBA-ve në Maqedoni, si projekt të komunës.
“Një përpjekje e qartë për të shmangur përgjegjësinë për dështimin e zotimeve të tij publike. Sot, kjo farsë e materialeve propagandistike dhe imazheve atraktive po përsëritet, këtë herë me një fytyrë tjetër, por me të njëjtën logjikë të vjetër: premto shumë, bëj asgjë. Për më tepër, gjatë të gjithë mandatit të tij, nuk u themelua as Këshilli Rinor Lokal, një mekanizëm që është obligim ligjor sipas Ligjit për pjesëmarrjen e të rinjve dhe politikat rinore, duke dëshmuar kështu një mungesë totale të vullnetit politik për të përfshirë të rinjtë në vendimmarrjen lokale”.
Të rinjtë e Çairit, thuhet në reagim, nuk kanë nevojë për animacione 3D, slogane boshe dhe projekte që promovohen vetëm gjatë fushatave.
“Ata kërkojnë angazhim të sinqertë, zbatim real dhe mbështetje të vazhdueshme në zhvillimin e tyre personal dhe profesional. Forumi Rinor i BDI – Çair u bën thirrje të gjithë të rinjve të mos bien pre e manipulimeve të radhës. Ne kemi qenë dhe do të mbetemi zëri i rinisë që kërkon projekte reale, me buxhet të garantuar, afate të qarta dhe zbatim konkre”.



