
Një rast tronditës mashtrimi është raportuar në policinë e Shkupit, ku një pensioniste nga Velesi ka rënë viktimë e një skenari kriminal të përgatitur me detaje, njofton Top24
Sipas MPB-së, 88-vjeçarja D.G. nga Velesi më 27 gusht rreth orës 10:00 ka marrë një telefonatë në numrin e saj fiks nga një person i panjohur. Mashtruesi i ka thënë se vajza e saj kishte shkaktuar një aksident të rëndë trafiku, duke përplasur një fëmijë 4-vjeçar, dhe se për ta shpëtuar nga “burg i gjatë” duhej të paguante 50.000 euro.
E tronditur dhe e frikësuar, e moshuara i ka treguar se nuk posedon aq para, por vetëm rreth 2.700 euro. Pas kësaj, mashtruesi i ka dhënë udhëzime që paratë t’i dorëzojë në Shkup, pranë Spitalit të Përgjithshëm “Shën Naum i Ohrit”.
Rreth orës 11:50, pensionistja ka shkuar në spital dhe, sipas udhëzimeve të mashtruesit, ka lënë qesen me paratë në një kosh plehrash. Më pas, ajo është kthyer në Veles me autobus.
Vetëm më vonë, pasi është qetësuar dhe ka kontaktuar me vajzën, ka kuptuar se e gjithë historia e aksidentit ishte një mashtrim i kurdisur.
Policia ka konfirmuar rastin dhe ka nisur hetimet për të identifikuar dhe kapur autorët e kësaj vepre penale.



