INTUITA organizoi manifestimin për promovimin e lojërave popullore tradicionale shqiptare në Tetovë, i pranishëm edhe kryetari Bilall Kasami

Në kuadër të festave të Nëntorit, Shoqata INTUITA nga Tetova ka organizuar manifestimin kulturor dhe edukativ “Manifestim rinor për promovimin e lojërave popullore tradicionale shqiptare”, me qëllim ruajtjen, promovimin dhe përcjelljen te gjeneratat e reja të lojërave tradicionale shqiptare, shkruan Top24

Manifestimi u mbajt në objektin e ri të shkollës fillore komunale “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Xhepçisht, në partneritet me këtë institucion arsimor dhe me mbështetjen e Komunës së Tetovës.

Në këtë aktivitet morën pjesë kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, zëvendëskryetari Albi Qamili, përfaqësuesi i Shoqatës INTUITA, Remzi Emshiu, si dhe drejtori i shkollës fillore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”, krahas nxënësve, mësimdhënësve dhe të ftuarve të tjerë.

Gjatë manifestimit, katër demonstrues prezantuan kategori të ndryshme të lojërave popullore tradicionale shqiptare, përfshirë lojëra shoqërore dhe të ndjekjes, lojëra të mendimit, lojëra të kërcimit dhe ekuilibrit, si dhe lojëra tradicionale me shkopinj. Pjesëmarrësve iu shpjeguan rregullat kryesore dhe mënyra e zhvillimit të këtyre lojërave.

Qëllimi i këtij manifestimi ishte që të rinjtë të njihen nga afër me lojërat që janë përcjellë brez pas brezi, të mësojnë mënyrën e zhvillimit të tyre dhe t’i transmetojnë ato edhe te bashkëmoshatarët e tyre.

Një rëndësi e veçantë iu kushtua edhe varianteve të ndryshme të lojërave, përmes të cilave pjesëmarrësit patën mundësinë të kuptojnë se si rregullat dhe mënyrat e lojës ndryshojnë nga një vend në tjetrin.

Në përfundim të programit u ndanë mirënjohje për institucionet pjesëmarrëse, si dhe certifikata kontributi për demonstruesit dhe mësimdhënësit shoqërues.

Manifestimi synon të kontribuojë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare, duke rikthyer vëmendjen te lojërat tradicionale si pjesë e identitetit, kujtesës dhe kulturës së popullit shqiptar.