
Kandidati i AKI-së për Komunën e Çairit, Bujar Osmani, në një intervistë për ZYRTARE.net ka paralajmëruar masa të rrepta kundër ndërtimeve pa leje dhe korrupsionit, duke theksuar se qytetarët do të përfshihen drejtpërdrejt në monitorimin e punës së komunës.
“Nuk do të ketë më ndërtime pa leje. Kjo punë do të jetë prej ditës së parë. Prandaj kemi vendosur disa sete mekanizmash, sepse kjo nuk duhet të varet nga vullneti i kryetarit të komunës, por duhet të ketë masa operative sistemore që vlejnë njësoj për të gjithë, pa marrë parasysh kush është”, u shpreh Osmani.
Ai theksoi se për këtë çështje është paraparë projekti “Rroje Ndërtimi”, ndërsa për luftën kundër korrupsionit është prezantuar mekanizmi “Syri i Qytetarit”. Sa i përket rritjes së efikasitetit në shërbimet komunale, Osmani prezantoi platformën “Çairi 38”.
“Këto janë projekte për të integruar qytetarët dhe për të krijuar mekanizma për tre temat për të cilat ata ankohen më së shumti: ndërtimet, korrupsionin dhe efikasitetin”, theksoi kandidati i AKI-së për Çairin.



