LajmeMaqedoniTopLajm

ZGJEDHJET AFROHEN, PËRKEQËSOHET FJALORI! Mickoski me gjuhë gjithnjë e më të ashpër ndaj BDI-së

Vazhdon “lufta” me fjalë ndërmjet kryeministrit Hristijan Mickoski me Bashkimin Demokratik për Integrim, ndërsa për çdo ditë akuzat bëhet më të ashpra. Së fundmi, kryeministri gjatë pjesëmarrjes në panairin e VMRO-DPMNE-së, “4 vite punë për ju”, e akuzoi Bashkimin Demokratik për Integrim për dhënie të deklaratave të pabazuara për pabarazi institucionale. Sipas tij, BDI përfaqëson krim, jokompetencë dhe korrupsion. “Roli i tyre në Qeveri do të thotë shumë krim, shumë papunësi, shumë paaftësi, shumë korrupsion, dhe tani vendosin shenjë barazimi midis të gjitha këtyre epiteteve që ka pjesëmarrja e tyre në Qeveri dhe polarizimit etnik. Nëse nuk janë ata, do të ishte polarizim etnik”, theksoi kryeministri Mickoski.

BDI: DËSHTIMET NUK MBULOHEN ME SHPIFJE

BDI akuzon kryeministrin Mickoski se po ndjek një rrugë të gabuar dhe se dështimet e qeverisë nuk mund të mbulohen me shpifje. Sipas kësaj partie, deklaratat e tij të djeshme tregojnë më shumë për hallin personal sesa për BDI-në. Në vend që të japë llogari për rezultatet e dobëta në ekonomi dhe izolimin ndërkombëtar, sipas BDI-së, Mickoski merret me sulme boshe.

“Në vend që të shpikë armiq imagjinarë, Mickoski duhet të shpjegojë: Pse qeveria e tij po shkel Kushtetutën dhe ligjin, pse po diskriminon shqiptarët, pse e përjashtoi diasporën nga përllogaritja zyrtare në kundërshtim me normat kushtetuese dhe ligjore, pse po e instrumentalizon KSHZ-në, Gjykatën Kushtetuese dhe institucionet e tjera për plane partiake e monoetnike dhe pse me çdo vendim e kthen vendin mbrapa në kohën e para vitit 2001”, theksojnë nga BDI.

Sipas BDI-së, nuk mund të qëndrohet indiferent kur shkelet Marrëveshja e Ohrit, dokument kyç për stabilitetin e vendit. Partia e Ali Ahmetit vlerëson se tentativa e Mickoskit për të krijuar “principata” politike brenda shqiptarëve me parti të vogla të kontrolluara është projekt i dështuar që synon dobësimin e përfaqësimit politik shqiptar. Një qasje e tillë, sipas tyre, nuk i kontribon kohezionit të shoqërisë dhe stabilitetit politik.

“Mickoski, duke u paraqitur si patriot në mbrojtje të kauzës maqedonase, në fakt e dëmton vetë kombin e tij. Goditja e Marrëveshjes së Ohrit nuk e forcon shtetin, por e minon perspektivën evropiane”, thekson BDI. Ky subjekt politik shton se nuk është e interesuar vetëm për të qenë në qeveri, por që vendi të ecë përpara dhe të dalë nga qorrsokaku. Sipas tyre, qeveria aktuale nuk është qeveri e qytetarëve, por e “botës serbe”, me orientim të qartë kah boshti Beograd–Moskë, duke rrezikuar kursin euroatlantik që shqiptarët dhe maqedonasit e kanë zgjedhur me shumicë absolute. Për akuzat e korrupsionit, BDI thotë se përgjigjja është e thjeshtë: le të pranohet propozimi për vetting të plotë. Kjo përfshin hetim të prejardhjes së pasurisë së çdo politikani e partie politike, hetim të procesit të privatizimit si dhe hetim të organeve të sigurisë së shtetit që nga vitit 1945 e deri më sot.

“BDI është dhe do të mbetet garancia e stabilitetit, e përfaqësimit të dinjitetshëm dhe e së ardhmes evropiane të vendit. Mickoski le ta dijë: shpifjet nuk mbulojnë dështimet dhe as orientimin e gabuar të kësaj qeverie. Përgjigjja e qytetarëve do të vijë në tetor”, përfundon reagimi i BDI-së.

VMRO: BDI NUK JANË SHQIPTARËT

Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE i kundërpërgjigjet duke theksuar se BDI nuk janë shqiptarët dhe se shqiptarët turpërohen nga ata. Sipas kësaj partie, BDI është sinonim i kriminalitetit dhe korrupsionit që tashmë janë mundur. Ata thonë se vullneti i qytetarëve maqedonas, shqiptarë dhe të tjerë tregoi qartë se struktura e Ali Ahmetit i përket së kaluarës.

“Pse të mos mund të zbulohet në mënyrë të argumentuar kriminaliteti i BDI-së? A është e ndaluar kjo? A do të thotë se për Bujarin, Aliun, Zaevin, Filipçen dhe kolegët e tyre të korruptuar vlejnë rregulla të tjera që për ta gjithçka është e lejuar? Ata që mendonin ashtu, sot janë aty ku u takon, në opozitë”, theksojnë nga VMRO-DPMNE. Sipas VMRO-së, kapja e BDI-së në kriminalitet dhe korrupsion nuk është sulm ndaj shqiptarëve, por zbardhje e një rrjeti mafioz që e përdorte kartën etnike si mburojë. “Kriminaliteti nuk shpërblehet më. Pason llogaridhënie dhe përgjegjësi. Populli zgjodhi ndryshime dhe barazi, e jo korrupsion dhe klientelizëm”, thekson VMRO-DPMNE, duke shtuar se BDI mund të fshihet pas flamujve etnikë, por nga drejtësia dhe nga gjykimi i popullit nuk do të mund të ikë.

LSDM: MICKOSKI SHEF I GJORGJIEVSKIT, SI I ARSOVKËS

Ndërkohë LSDM kritikon kryeministrin Mickoski se sërish po dëshiron të jetë në rolin e “superkryetarit të komunave” dhe po u jep detyra kandidatëve për kryetarë të komunave të VMRO-DPMNE-së.

“Shkupjanët e mbajnë mend mirë: kur Mickoski dhe Arsovska ndanin detyra dhe biznese, gjithçka u funksiononte. Së bashku premtonin transport publik falas, ndërsa Mickoski paralajmëronte 100 autobusë të rinj elektrikë, madje edhe fabrikë për prodhimin e tyre. Por, futën duart në mjaltë dhe e futën kryeqytetin në kaos”, theksojnë nga LSDM. Partia opozitare maqedonase vlerëson se katër vitet e fundit, me VMRO-DPMNE-në në pushtet në Shkup injorohen kërkesat e qytetarëve të Shkupit dhe se partia dhe interesat partiake vendosen mbi shëndetin e njerëzve, ndërsa u shkatërrua qyteti, ndërmarrjet dhe me to edhe jeta e qytetarëve.

“Me Mickoskin dhe Gjorgjievskin, shkupjanët mund të presin zhgënjime të reja, kaos të ri dhe marrëveshje të reja biznesi mbi kurrizin e qytetarëve. Shkupi meriton më shumë. Shkupjanët presin zgjidhje, sinqeritet dhe politika që sjellin rezultate”, theksojnë nga LSDM. Përndryshe, retorika e partive politike si rëndom po ashpërsohet në prag të zgjedhjeve lokale të cilat do të mbahen më 19 tetor, ndërkohë që fushata zgjedhore është parashikuar që të fillojë më 29 shtator. (koha.mk)

Related Articles

Back to top button
Close
Close