
Kandidati për kryetar komune nga Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI), Bajram Rexhepi, ka shpalosur një nga zotimet më konkrete dhe të guximshme për qytetin: një sistem efikas dhe të shpejtë të shërbimeve komunale, që garanton zgjidhje brenda 48 orëve për çdo problem të raportuar nga qytetarët.
Qoftë një dritë e prishur, një gropë në rrugë, papastërti në lagje, apo çështje të tjera që prekin përditshmërinë – gjithçka do të trajtohet me reagim të menjëhershëm.
“Nuk ka më kohë për premtime boshe! Qytetarët e Tetovës meritojnë një komunë që reagon, jo që hesht,” – u shpreh Rexhepi, duke shtuar se çdo hall i qytetarëve do të ketë përgjigje të qartë, të dukshme dhe të shpejtë.
Raportimi i problemeve do të jetë shumë i thjeshtë, përmes:
-
e-aplikacionit të komunës,
-
faqes zyrtare online,
-
ose në kontakt të drejtpërdrejtë me institucionin.
Ky vizion modern për shërbimet publike synon ta bëjë Tetovën një qytet funksional, të pastër dhe të kujdesshëm ndaj çdo qytetari.
“Qytetarët nuk do të jenë më të detyruar të presin me javë e muaj për një përgjigje. Shërbimet do të jenë aty, në kohë dhe të dukshme,” përfundoi Rexhepi.



