
Një ndërtesë shumëkatëshe në Tiranë, e ndërtuar pa leje dhe e konfiskuar nga autoritetet, është kthyer në qendër të një debati të ashpër mes qeverisë dhe sistemit të drejtësisë. Qeveria kishte vendosur që godinën ta përdorte për zyrat e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), pasi godina aktuale ishte e amortizuar nga tërmeti.
Në qershor 2025, Komisioni i Objekteve të Konfiskuara ndryshoi destinacionin e godinës, duke i hapur rrugë zhvendosjes së Kadastrës. Por në fillim të gushtit, gjyqtari Hazbi Balliu vendosi një masë sigurie padie, e cila pezullonte ekzekutimin e vendimit deri në shqyrtimin përfundimtar të çështjes.
Ky vendim solli reagimin e ashpër të Kryeministrit Edi Rama, i cili e cilësoi gjyqtarin “të pacipë” dhe e akuzoi se po mbronte ndërtuesit e paligjshëm. Rama e quajti çështjen një përpjekje për të bllokuar shtetin dhe theksoi se ASHK duhet të zhvendoset në godinën e re për shkak të kushteve të rrezikshme në selinë e vjetër.
Në krahun tjetër, gjyqtari Balliu sqaroi se vendimi nuk heq konfiskimin, por thjesht pezullon përkohësisht ekzekutimin, duke i dhënë palës paditëse të drejtën e një procesi gjyqësor të rregullt.
Reagimet nuk munguan as nga opozita. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, deklaroi se gjyqtarët thjesht zbatojnë ligjet dhe aktet e miratuara nga qeveria dhe Kuvendi. Ai akuzoi ekzekutivin se po ushtron presion mbi drejtësinë, ndërsa theksoi se pikërisht boshllëqet ligjore të miratuara nga vetë qeveria kanë krijuar mundësi që ndërtuesit pa leje të gjejnë mbrojtje në gjykata.
Çështja mbetet pezull në gjykatë, por rasti i pallatit të konfiskuar ka hapur një debat më të gjerë për marrëdhënien mes pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor, duke vënë në qendër të vëmendjes jo vetëm ligjshmërinë e vendimeve, por edhe kufijtë se deri ku ka të drejtë drejtësia. /TemA



