Policia bllokon News24 dhe mediat e tjera të “Focus Media Group”

Në orët e para të mëngjesit të 9 gushtit, Policia e Shtetit ka zhvilluar një operacion ndaj objektit së “Focus Media Group” në Tiranë, ku ushtrojnë aktivitetin televizoni News24, portali BalkanWeb, si dhe gazetat Panorama dhe Gazeta Shqiptare.
Sipas komunikimit zyrtar të “Focus Media Group”, forcat e policisë kanë rrethuar objektin, kanë ndërprerë furnizimin me energji elektrike dhe për pasojë kanë lënë News24 pa sinjal transmetimi. Gazetarëve dhe punonjësve të mediave u është penguar hyrja në redaksi, duke bllokuar punën dhe duke ndërprerë qasjen e publikut në informacion. Që nga ora 10:00, News24 ka vijuar transmetimin përmes kanalit të saj në YouTube.
Objekti ku janë të vendosura këto media është pjesë e një mosmarrëveshjeje pronësore me kompaninë shtetërore të prodhimit të armëve KAYO, e cila e ka marrë në pronësi këtë vit. Megjithatë, sipas “Focus Media Group”, nuk ka pasur asnjë njoftim paraprak për redaksitë, vendim gjykate apo urdhër ligjor që të justifikonte ndërprerjen e energjisë dhe bllokadën.
Rrjeti rajonal i gazetarëve SafeJournalists, në të cilën bën pjesë edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka shprehur “shqetësim të thellë” për ndërhyrjen, duke e cilësuar të paprecedentë dhe në kundërshtim me parimin e procesit të rregullt ligjor.



