​Mbi 500 mijë votues në Serbi figurojnë pa adresë të saktë në listën zgjedhore

Më shumë se 500 mijë votues në Serbi figurojnë në listën zgjedhore pa emër të rrugës dhe pa numër të shtëpisë, sipas një analize të Radios Evropa e Lirë (REL), transmeton KosovaPress.

Në evidencën zgjedhore, adresat e tyre figurojnë me shënimin “pa rrugë, 0”. Këta qytetarë kanë të drejtë vote në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 25 tetorit.

REL ka arritur në këtë përfundim pas përpunimit automatik të të dhënave publike të Ministrisë së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë.

Raste të tilla janë evidentuar në pjesë të ndryshme të Serbisë, përfshirë Prijepoljën, Çaçakun, Preshevën dhe Bujanocin.

Një prej rasteve më të pazakonta është regjistruar në Ivanje të Prijepoljës. Sipas të dhënave të 21 shtatorit, aty figurojnë 1.523 votues me adresën “pa rrugë, 0”.

Ndërkohë, regjistrimi zyrtar i popullsisë i vitit 2022 tregon se Ivanje kishte 1.101 banorë. REL thekson se nuk ka të dhëna se sa prej tyre janë të rritur ose sa jetojnë jashtë vendit, por vazhdojnë ta kenë vendbanimin të regjistruar aty.

Në regjistrin zyrtar të adresave, në këtë vendbanim ekzistojnë 23 rrugë të ndryshme.

Vladimir Erceg nga organizata CRTA thotë se një pjesë e problemit lidhet me mospërputhjen ndërmjet evidencës së vendbanimeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe regjistrit të adresave.

REL ka evidentuar edhe raste ku qindra votues figurojnë në të njëjtën adresë.

Në Priboj, 247 persona me të drejtë vote janë regjistruar në një adresë ku, sipas të dhënave kadastrale të cituara nga REL, ndodhet një shtëpi prej 88 metrash katrorë.

Erceg ka thënë se verifikimi i rasteve të tilla nuk ka treguar se bëhet fjalë domosdoshmërisht për “votues fantomë”. Sipas tij, në disa raste bëhet fjalë për gabime në evidencë, pasi votuesit që më parë figuronin pa numër janë regjistruar në numrin 1.

Në Novi Sad, 446 votues figurojnë në adresën Zmaj Ognjena Vuka 13, ku ndodhet Qendra për Punë Sociale. Ligji serb lejon që personat që nuk kanë adresë tjetër për regjistrimin e vendbanimit të regjistrohen në adresat e qendrave sociale, sipas procedurave përkatëse.

Në Nish, ndërkaq, 504 votues figurojnë në një adresë të vetme, Mramorska 11.

Ministria e Administratës Shtetërore ka thënë se evidenca e vendbanimit është në kompetencë të MPB-së së Serbisë. Kjo e fundit nuk i ishte përgjigjur pyetjeve të REL-it deri në publikimin e hulumtimit.

Opozita dhe organizatat që monitorojnë zgjedhjet, ndërkaq, kërkojnë qasje më të gjerë në evidenca për të verifikuar saktësinë e listës dhe për të parandaluar keqpërdorimet e mundshme.

Sipas të dhënave të 21 shtatorit, më shumë se 6.44 milionë votues kanë të drejtë vote në zgjedhjet parlamentare të Serbisë më 25 tetor.