
Artin Spahiu nga Dega e BDI-së në Dibër ka dalë me deklaratë pasi u zgjodh si bartës i kësaj partie për zgjedhjet lokale, njofton Top24
“Të nderuar bashkëqytetarë!
Me përgjegjësinë dhe përkushtimin e një qytetari – si njëri prej jush – ju informoj se sot, Kryesia e Bashkimit Demokratik për Integrim, në mënyrë unanime, më ka nominuar për bartës të listës së këshilltarëve të koalicionit “Besëlidhja Kombëtare për Integrim” në Komunën e Dibrës, për zgjedhjet lokale të tetorit.
Ky është një nder i madh për mua, por njëkohësisht edhe një detyrim i thellë moral dhe qytetar për të vazhduar angazhimin tim me përkushtim dhe vizion, në shërbim të qytetit tonë dhe të gjithsecilit prej jush.
Nuk dua të flas për veprimtarinë- qoftë në sferën kombëtare dhe politike, sepse shumica prej jush më keni njohur nga afër. Keni pasur kontakte të përditshme- për hallet, problemet dhe nevojat e përbashkëta.
Kam qenë i disponueshëm për ju, dhe ju keni qenë të tillë për mua në çdo kërkesë dhe nevojë që kemi pasur, për çka u jam falënderues dhe mirënjohës pafundësisht!
Për këtë arsye, nuk dua ta zgjas as edhe një shkronjë, por dua vetëm t’u siguroj se do të vazhdoj të jem edhe më fuqishëm në shërbim të çdo qytetari, pa dallim përkatësie kombëtare, fetare, racore apo politike – ashtu siç jam përpjekur të jem deri më sot dhe po ashtu jam i bindur se përkrahja juaj nuk do të mungojë.
Na priftë e mbara drejt suksese të reja!
Bashkë për Dibrën që duam!”, shkroi Spahiu.



