
Son Heung-min është pranë një kapitulli të ri në karrierën e tij, pasi ka arritur marrëveshjen me klubin amerikan Los Angeles FC për një transferim me vlerë mbi 13 milionë paundë (rreth 17 milionë dollarë). Ky lëvizje i jep fund një periudhe 10-vjeçare të mbushur me emocione dhe suksese në radhët e Tottenham Hotspur, ku sulmuesi koreano-jugor është shndërruar në një nga legjendat e klubit.
Sulmuesi 33-vjeçar nuk u kthye në Londër pas ndeshjes miqësore ndaj Newcastle në Seul, ku ai përshëndeti për herë të fundit tifozët dhe bashkëlojtarët. Në atë ndeshje që përfundoi 1-1, Son u nderua me një korridor nderi nga të dyja skuadrat, në një moment simbolik për ndikimin e tij të jashtëzakonshëm në futbollin anglez. Pas largimit të Harry Kane drejt Bayernit, ky është një tjetër sinjal se te Tottenham po nis një epokë e re.
Në një konferencë shtypi të shtunën, Son deklaroi se ishte koha për një sfidë të re, dhe emocionet nuk munguan as të dielën, kur ai u ul në stol mes lotëve pas zëvendësimit në minutën e 65-të. LAFC pritet ta prezantojë zyrtarisht si përforcimin e tyre kryesor, teksa ai do të zërë një nga tri vendet e “Designated Player” në klub.



