
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka deklaruar mbështetjen e tij të fuqishme për protestën e paralajmëruar më 7 gusht në Prishtinë, të thirrur nga organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Përmes një reagimi publik, Ahmeti thekson se lufta e popullit shqiptar, e prirë nga UÇK-ja, ka qenë e drejtë, e duhur dhe e përkrahur nga e gjithë bota demokratike dhe liridashëse. Ai rikujton se që nga paslufta, procese të shumta gjyqësore ndërkombëtare dhe vendore kanë dëshmuar çiltërsinë e luftës për liri, demokraci dhe pavarësi.
“Nuk mund të pranojmë që drejtësia për popullin shqiptar të vihet në pikëpyetje nga procese politike të imponuara nga Rusia apo dëshmi të fabrikuara nga Serbia,” – shprehet Ahmeti.
Ai thotë se është “pjesë e pandarë e luftës për liri të kombit tim” dhe se mbështet pa rezervë protestën e organizuar në mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare.
Ahmeti i fton qytetarët që t’i bashkohen protestës më 7 gusht, ora 17:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, për të ngritur zërin në mbrojtje të lirisë dhe drejtësisë.




