
Kryeministri Hristijan Mickoski sot kërkoi nga zëvendëskryeministri Arben Fetai dhe Izet Mexhiti të kërkojnë falje nëse kanë përdorur automjetet e tyre zyrtare për qëllime partiake. Rreth dhjetë ditë më parë, automjetet zyrtare të dy zyrtarëve u kapën në orën 23:00 të parkuara në bulevardin pranë Qendrës Tregtare “Mavrovka”, në afërsi të selisë së VLEN, transmeton Portalb.mk.
Sipas kryeministrit, nëse automjetet janë përdorur për qëllime partiake dhe privatisht, atëherë dy zëvendëskryeministrat duhet t’u kërkojnë falje qytetarëve për shpërdorimin e burimeve të tyre.
“Nëse kanë qenë në një takim për një temë që lidhet me politikat qeveritare, atëherë në rregull. Supozoj se do të japin përgjigjen dhe unë do t’i pyes ata”, tha Mickoski.
Ndryshe, kryetari i komunës së Tetovës dhe një nga udhëheqësit e koalicionit qeverisës VLEN, Bilall Kasami, kur u prononcua për përdorimin e automjeteve zyrtare nga zyrtarët dhe kolegët e tij të koalicionit, tha se nuk e di për çfarë mbledhje bëhet fjalë dhe se nuk e di edhe nëse kanë qenë për qëllime partiake, pasi nuk ka qenë i pranishëm.
“Për shkak se të dy janë pjesë e Qeverisë ndoshta kanë qenë aty afër në ndonjë takim zyrtar për pozicionet që mbajnë. Me faktin që unë nuk kam qenë pjesë e takimit nuk e di që janë takuar për çështje politike”,tha Kasami.
Kujtojmë se për rastin në fjalë, janë deklaruar nga ministria e Mjedisit Jetësor dhe Ambientit Hapësinor me të cilën udhëheq Izet Mexhiti.
“Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Mjedisit Izet Mexhiti dhe zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë Arben Fetai ishin në një takim në lidhje me politikat qeveritare kur u fotografuan nga “360 Gradë” automjetet e tyre zyrtare në orën 23:00 të parkuara në bulevardin pranë qendrës tregtare “Mavrovka”” thuhet në përgjigjen e tyre.
Në Maqedoninë e Veriut të shpeshta janë rastet e keqpërdorimeve të burimeve shtetërore, respektivisht vetyrave zyrtare. Sot nga ekipi i Radio Evropa e Lirë kanë kapur në kuadër ministrin pa portofol Shaban Saliu duke mbërritur në gjykatë me një automjet zyrtar, ndërsa ai është i dyshuar në rastin e zjarrit në Koçan.
Qeveria aktuale ka njoftuar një zgjidhje për problemin e keqpërdorimit të mundshëm të automjeteve zyrtare duke futur targa me ngjyra për automjetet zyrtare dhe duke futur një mekanizëm përmes të cilit çdo qytetar do të jetë në gjendje të raportojë keqpërdorimin e një automjeti zyrtar, por rezultatet fillestare, sipas njoftimeve, duhet të jenë të dukshme në shtator të këtij viti.



