LajmeMaqedoniOpinion

Kur Gaza bërtet, bota hesht nga frika, turpi apo interesi?

Gaza është simboli i dinjitetit që nuk shitet për ndihma, i besnikërisë që nuk thyhet as nga bombat, as nga uria. Siç qëndroi Bilali nën zinxhir e gur, po ashtu po qëndrojnë fëmijët e Gazës, me sytë e uritur që fiken pa dritë, me një kafshatë që nuk mbërrin kurrë. Siç u izoluan besimtarët në Sheib Ebi Talib për tri vjet, duke ngrënë gjethe e rrënjë për të mos iu përkulur idhujtarisë, ashtu janë rrethuar edhe sot banorët e Gazës me heshtjen vrastare të botës moderne

Nga Mr. Hasan BAFTIJARI

Jetojmë në kohën kur virtyti është shndërruar në një zë të mbytur, ndërsa e vërteta shpaguhet me gjak për t’u bërë e besueshme. Jetojmë në një epokë turpi që merr emrin e civilizimit, në një botë që flet për drejtësi, por e ngre strukturën e saj mbi gjakun e të pambrojturve. Në këtë rend ku mashtrimi vishet me petkun e diplomacisë, e krimi legjitimohet si “e drejtë mbrojtjeje”, Gaza është bërë skena ku ndërgjegjja njerëzore përtharret përpara syve tanë  të ngurosur e të heshtur.

GAZA DHE BILALI I SHEKULLIT TONË

Gaza po paguan sot çmimin e së vërtetës, ashtu siç pagoi dikur Bilali – robi me ngjyrë të zezë, që në vapën përvëluese të Mekës nuk reshti së thëni: “Ehadun, Ehad”. Gaza nuk është viktimë e një konflikti territorial apo fetar ajo është ndëshkimi për refuzimin e përuljes, për mosshitjen e bindjes, për qëndrimin e palëkundur përballë arrogancës globale. Gaza është simboli i dinjitetit që nuk shitet për ndihma, i besnikërisë që nuk thyhet as nga bombat, as nga uria. Siç qëndroi Bilali nën zinxhir e gur, po ashtu po qëndrojnë fëmijët e Gazës, me sytë e uritur që fiken pa dritë, me një kafshatë që nuk mbërrin kurrë. Siç u izoluan besimtarët në Sheib Ebi Talib për tri vjet, duke ngrënë gjethe e rrënjë për të mos iu përkulur idhujtarisë, ashtu janë rrethuar edhe sot banorët e Gazës me heshtjen vrastare të botës moderne.

KU ËSHTË EBU BEKRI I GAZËS?

Torturat e Bilalit morën fund kur Ebu Bekri – burri që u drodh nga britmat e robërisë vendosi ta blejë dhe ta lirojë. Ndjeshmëria e tij u bë çelësi i lirisë së një njeriu dhe një dëshmi e pashlyeshme e nderit islam. Sot, Gaza pret një Ebu Bekër të ri.

Një zemër që nuk duron më pamjen e fëmijëve të pajetë, nën gërmadha që ua rrëzuan ëndrrat mbi gjumin. Një ndërgjegje që nuk mund të hajë, të pijë e të jetojë përderisa një popull i tërë shuhet në heshtje. A do të lindë vallë në këtë epokë të mpirë një burrë që do të jetë përgjigjja e kësaj thirrjeje? A do të lindë një shpirt që do të çohet mbi frikën e interesin dhe do të flasë me vepër atë që besimi kërkon me kusht: drejtësi e solidaritet?

KRIMI I DY PESHOREVE DHE MALLKIMI MBI DREJTËSINË E RREME

Jetojmë në një botë që flet për barazi, por që e mat jetën sipas koordinatave të lindjes. Në Perëndim, uji i filtruar është një garanci për kafshët shtëpiake, ndërsa në Gaza, uji i ndotur është një luks që nënat e kërkojnë me lot për fëmijët e tyre. Në Evropë, fëmija gëzon një shtrat të ngrohtë, një lodër dhe një mëngjes të ekuilibruar. Në Gaza, fëmija ka të drejtë vetëm të bëhet numër  një statistikë e re në raportet e OKB-së që askush nuk i lexon. Ky është krimi i dy peshoreve, që Kurani e mallkon: “Mjerë për ata që mashtrojnë në peshore. Kur marrin për vete, e marrin të plotë. Kur japin për të tjerët, u japin më pak”. (El-Mutaffifin: 1-3)

Kjo nuk është thjesht padrejtësi kjo është një krim me pasoja të prekshme. Ai vret. Ai shuan jetë. Ai thyen shpresa. Dhe më e frikshmja: ai po bëhet normalitet.

HESHTJA QË VRET MË SHUMË SE BOMBAT

Dy miliardë myslimanë e dëgjojnë çdo ditë fjalën profetike. “Nuk ka besuar ai që bie të flejë me barkun plot, ndërsa fqinji i tij është i uritur”. (E ka transmetuar Taberani në “el-Mu’xhem el-Kebir” 8707)

Por a është besimi ende i gjallë, nëse Gaza vdes për bukë dhe ne vetëm kalojmë një lajm si të ishte reklamë? Nëse britmat e grave nuk lëkundin më as xhamin e zemrës sonë? Nëse heshtim përballë hipokrizisë globale, që nga njëra anë dërgon bomba në Gaza, dhe nga tjetra organizon konferenca për paqe?

OKB flet për “neutralitet”, ndërsa fëmijët shuhen prej urisë. Politikanët perëndimorë flasin për “balancë”, ndërsa Izraeli ushtron një gjenocid të heshtur. Në këtë kohë mashtrimi të legalizuar, edhe dhimbja është bërë privilegj, edhe pikëllimi ka kufij.

NJË UMMET QË LUTET, POR NUK REAGON

Ne që jemi një trup – siç na mësoi Profeti, jemi kthyer në një trup që nuk ndien. Gaza po vdes për jetën, e ne po jetojmë pa ndjesi. Gaza po vuan, e ne po lutemi, por pa lëvizur. A jemi ende një ummet? Apo thjesht një masë e shkapërderdhur, që flet për mëshirë, por nuk njeh më dhimbjen? Në këtë gjendje turpi dhe paralize që na ka pllakosur, edhe pse rrugët nuk janë shteruar ende, nuk na mbetet tjetër veçse të kërkojmë falje para Gazës:

Për zhgënjimin që ua dhamë.

Për heshtjen që i vrau.

Për tradhtinë tonë – si ummet, si komb, si njerëz.

Lutja e një ndërgjegjeje të gjakosur

O Allah,

Na fal për këtë heshtje që na fundos.

Na fal për këtë mpirje që na ka ngurosur.

Na fal për këtë turp që na ka robëruar.

Na fal që nuk ishim Ebu Bekri që liroi.

Na fal që nuk ishim Umeri që dridhej kur shkelej një karavidhe në Irak.

Na fal që nuk ishim njerëz.

Nëse nuk jemi gjaku që i ndihmon, bëna dhimbja që nuk shërohet.

Nëse nuk jemi dora që i shpëton, bëna zëri që nuk hesht.

Nëse nuk jemi vendimi që i ndryshon gjërat, bëna ndërgjegjja që nuk pajtohet.

Related Articles

Back to top button
Close
Close