BotaLajme

Trump “ndez” skandalin Epstein, kërkon zbardhjen e dëshmive sekrete

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka njoftuar se i ka kërkuar Departamentit të Drejtësisë të bëjë publike dokumente shtesë që lidhen me abuzuesin seksual Jeffrey Epstein, përfshirë dëshmi nga Gjykata e Madhe, që aktualisht janë të mbyllura.

Për shkak të sasisë qesharake të publicitetit që i është bërë çështjes Epstein, i kam kërkuar Prokurores së Përgjithshme Pam Bondi të përgatisë të gjitha dëshmitë përkatëse për Gjykatën e Madhe, me kusht që kjo të miratohet nga gjykata,” shkroi Trump në rrjete sociale.

Ende nuk është e qartë nëse Trump ka kërkuar publikimin për mediat apo thjesht prodhimin e dokumenteve për gjykatën. Megjithatë, veprime të tilla kërkojnë miratimin e një gjykatësi për t’u zbatuar.

Vetëm pak minuta pas postimit të Trump, Bondi deklaroi se ishte gati të paraqitej në gjykatë që nesër për të kërkuar zhbllokimin e transkripteve të Gjykatës së Madhe. Kjo lëvizje vjen pas presionit të shtuar nga mbështetësit më besnikë të Trump, të cilët prej ditësh kanë kërkuar më shumë zbardhje rreth çështjes Epstein.

Në qendër të interesit është nëse bëhet fjalë për dosjet e hershme të çështjes që datojnë nga fillimi i viteve 2000, apo për hetimet federale të vitit 2019. Disa dokumente nga rasti i Floridës në vitin 2006 janë bërë tashmë publike, megjithëse janë kritikuar për lehtësinë e akuzave dhe mungesën e ndëshkimeve të rënda, pavarësisht dëshmive tronditëse të dhëna nga të mitura.

Trump, gjatë fushatës së vitit të kaluar, kishte premtuar se do të bënte publike dosjet e plota të Epstein, por prokurorja Bondi deklaroi javën e kaluar se nuk kishte një listë klientësh, duke mohuar kështu ekzistencën e një dokumentacioni që përmendte emra të njohur publikisht, një “kthesë” që ka zemëruar shumë nga mbështetësit e Trump.

Kritikët, përfshirë analistin konservator Charlie Kirk, e përshëndetën lëvizjen e fundit të Presidentit si një “fitore të presionit nga baza”.

Ndërkohë, Trump ka paralajmëruar një padi ndaj gazetës Wall Street Journal për publikimin e një letre të supozuar të dërguar Epstein-it për ditëlindjen e tij të 50-të në vitin 2003, përpara se ai të akuzohej për krime seksuale.

Sipas WSJ, letra përmbante një shënim në formë bisede imagjinare midis Trump dhe Epstein, të shkruar mbi konturet e vizatuara me dorë të një gruaje të zhveshur. Trump e cilësoi këtë dokument si “i rremë, dashakeq dhe të stisur.

Jeffrey Epstein vdiq në vitin 2019 në një burg në New York, ndërsa priste gjyqin për trafikim seksual. Vdekja e tij vazhdon të jetë objekt teorish konspirative, pavarësisht përfundimit zyrtar se ai kreu vetëvrasje. Bashkëpunëtorja e tij e ngushtë, Ghislaine Maxwell, u dënua në vitin 2021 me 20 vite burg për ndihmë në trafikimin e të miturave.

Related Articles

Back to top button
Close
Close