Policia greke arreston pesë persona për vrasjen e profesorit të UC Berkeley në Athinë

Policia greke ka arrestuar pesë persona për vrasjen e një profesori të Universitetit të Kalifornisë në Berkeley, i cili u qëllua për vdekje në një periferi të Athinës në fillim të korrikut, tha policia.
Ish-gruaja e profesorit, e cila ka mohuar çdo shkelje, partneri i saj grek dhe tre persona të tjerë – një bullgar dhe dy shtetas shqiptarë – u arrestuan të mërkurën në mbrëmje për incidentin, tha një zyrtar i policisë të enjten.
Partneri i gruas ka rrëfyer se ka qëlluar akademikun, një shtetas polak 43-vjeçar, sipas zyrtarit. Pjesa tjetër e të arrestuarve akuzohet se e kanë ndihmuar atë. Arma e përdorur në vrasje nuk është gjetur.
Të dyshuarit pritej t’u përgjigjeshin akuzave, të cilat ende nuk janë zbuluar, këtë javë. Autoritetet greke nuk kanë publikuar emrat e individëve që dyshohet se janë përfshirë në incident.
Profesori u qëllua në gjoks dhe shpinë më 4 korrik, në periferinë verilindore të Agia Paraskevi, sipas një dokumenti konfidencial të policisë të parë nga Reuters.
Policia më vonë gjeti gjashtë gëzhoja plumbash dhe një fishek në vendin e ngjarjes, thuhet në dokument. Disa nga të dyshuarit u arratisën me një makinë luksoze, sipas pamjeve të mbledhura nga policia si pjesë e hetimit, shkruan Reuters



