
Sipas Taravarit, largimi i BDI-së nga pushteti do të kishte qenë një akt i shëndetshëm për vetë partinë, për shqiptarët dhe për shtetin.
Duke folur për dominimin 20-vjeçar të BDI-së, Taravari tha se çdo parti ka nevojë të kalojë në opozitë për të reflektuar dhe për t’u reformuar.
“Momenti i duhur për BDI-në që të shkonte në opozitë ishte pas zgjedhjeve të fundit. Kjo do të ndihmonte edhe vetë partinë për të bërë reforma të brendshme.”
Ai vlerësoi se rotacioni politik është mënyra më e mirë për të pasur freski demokratike në skenën politike shqiptare.
Arben Taravari thotë se pjesëmarrja e BDI-së në një koalicion me VMRO-në do të kishte prodhuar një situatë edhe më të rëndë për shqiptarët.
“BDI-ja ka një lloj mllefi nga maqedonasit për shkak të pozicioneve që ka pasur. Po të ishte ajo në qeveri me VMRO-në, situata do të ishte më e keqe,” tha ai.
Sipas tij, retorika antishqiptare e përdorur nga partitë maqedonase në opozitë ka nxitur një valë të margjinalizimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore.



