
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka folur në një konferencë për shtyp të enjten pas takimit të tij me homologun rus, Sergei Lavrov, tek ka thënë se presidenti amerikan, Donald Trump, është i zhgënjyer me mungesën e fleksibilitetit të treguar nga Rusia për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, ka shkruar Reuters.
E në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Rusisë kanë thënë të enjten se në takimin e zhvilluar ndërmjet Lavrovit dhe Rubios, është diskutuar kryesisht për marrëveshjen e paqes në Ukrainë si dhe situatën në Iran e Siri.
“U zhvillua një shkëmbim substancial dhe i drejtpërdrejtë i pikëpamjeve rreth zgjidhjes së situatës në Ukrainë, Iran dhe Siri, si dhe për një sërë çështjesh të tjera ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Në njoftim thuhet gjithashtu se dialogu konstruktiv ndërmjet Moskës dhe Washingtonit do të vazhdojë.



