Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, duke iu drejtuar forumit „Kontributi i dialogut të strukturuar në procesin e integrimit evropian të Republikës së Maqedonisë së Veriut: nga “themelet dhe më gjerë“, theksoi se integrimi evropian i vendit duhet të shihet si transformim thelbësor i institucioneve dhe shërbimeve publike, dhe jo vetëm si proces i harmonizimit të legjislacionit.
„Integrimi evropian nuk është vetëm harmonizim i legjislacionit. Ai është transformim i institucioneve, i mënyrës se si punojmë dhe i mënyrës se si qytetarët i ndiejnë rezultatet e reformave“, theksoi Shasivari.
Ai theksoi se dialogu i strukturuar ka rëndësi të veçantë, sepse mundëson që reformat të shihen si pjesë e një kuadri më të gjerë evropian, në të cilin ndërlidhen sundimi i së drejtës, kapaciteti institucional, burimet njerëzore, digjitalizimi, qëndrueshmëria financiare dhe cilësia e shërbimeve publike.
Si koordinator i Kapitullit 23 – Gjyqësori dhe të drejtat themelore, Ministria e Drejtësisë është e përkushtuar ndaj realizimit të prioriteteve reformuese të përcaktuara në Agjendën e Reformave, rekomandimeve të Komisionit Evropian, misioneve vlerësuese dhe punës së Nënkomitetit për Drejtësi dhe Punë të Brendshme.
„Përmes Agjendës së Reformave, reformat ndërlidhen me masa, afate dhe rezultate konkrete. Detyra jonë është që këto rezultate të mos mbeten vetëm në dokumentet strategjike, por të bëhen të dukshme në funksionimin e institucioneve dhe në shërbimet që marrin qytetarët“, theksoi ministri.
Shasivari theksoi se Maqedonia e Veriut tashmë është pjesë e mekanizmave më të gjerë evropianë për sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe mbrojtjen e të drejtave themelore, gjë që krijon hapësirë shtesë për shkëmbimin e përvojave, praktikave dhe standardeve evropiane.
Si një nga detyrat kyçe për Ministrinë e Drejtësisë u theksua nevoja që reformat të kenë bazë reale dhe të qëndrueshme institucionale.
„Për herë të parë duhet t’i përgjigjemi në mënyrë sistematike jo vetëm pyetjes se çfarë duhet të reformojmë, por edhe sa kushton kjo, me çfarë burimesh njerëzore disponojmë dhe çfarë kapaciteti institucional na nevojitet që reformat të funksionojnë realisht“, theksoi Shasivari.
Në këtë kontekst, u theksua edhe transformimi digjital i gjyqësorit, përmes përgatitjes së një strategjie të re të TIK-ut, e cila synon një gjyqësor modern dhe të integruar, procedura më efikase, transparencë më të madhe, menaxhim më të mirë të lëndëve dhe qasje më të lehtë në drejtësi.
E rëndësishme është edhe optimizimi i rrjetit gjyqësor, me qëllim qasje më të mirë në drejtësi, shpërndarje më efikase të burimeve dhe shërbime më të mira për qytetarët.
„Detyrën që e kemi para nesh është të shkojmë më gjerë: nga harmonizimi drejt zbatimit, nga detyrimet reformuese drejt rezultateve të qëndrueshme dhe nga perspektiva evropiane drejt praktikës evropiane. Kjo është rruga në të cilën duhet të vazhdojmë“, theksoi Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari.






