LajmeMaqedoni

Projektligji për shkollat fetare, Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi ngre shqetësime

Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi ka reaguar reagon kundër Projektligjit për Shkollat Fetare të publikuar në Regjistrin e Vetëm Elektronik Kombëtar (ENER), duke e konsideruar atë një përpjekje jokushtetuese, ligjërisht të papajtueshme dhe të rrezikshme për të minuar karakterin laik të shtetit dhe për të institucionalizuar arsimin fetar në sistemin formal të arsimit.

Sipas tyre, projektligji është në kundërshtim me Kushtetutën dhe Ligjin për Arsimin e Mesëm.  

“Projektligji është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Liria e bashkësive fetare për të themeluar shkolla fetare garantohet nga Neni 19 i Kushtetutës, por këto shkolla mund të jenë ekskluzivisht të natyrës fetare, dhe jo të një shkolle të mesme të rregullt, të tipit profesional ose artistik. Përveç kësaj, Neni 22 i Ligjit për Statusin Ligjor të një Kishe, Bashkësie Fetare dhe Grupi Fetar lejon themelimin e institucioneve arsimore fetare të të gjitha niveleve përveç arsimit fillor, ekskluzivisht për arsimimin e klerit dhe zyrtarëve fetarë. Ky ligj përbën një lex specialis dhe nuk mund të përjashtohet nga një ligj i ri. Prandaj, shkollat fetare nuk mund të trajtohen si shkolla të mesme të rregullta me të drejtë regjistrimi në çdo fakultet”, thuhet në reagimin e rrjetit. 

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese U.nr. 182/2021, shkruan në reagim, i publikuar më 29 maj 2024 konfirmon se sistemi i edukimit fetar duhet të jetë plotësisht i ndarë nga edukimi qytetar dhe se çdo përpjekje për të ndërhyrë në to përbën shkelje të parimit kushtetues të sekularizmit dhe ndarjes së shtetit nga feja. Vendimi është i disponueshëm në linkun e mëposhtëm: https://ustavensud.mk/archives/33087. 

“Ligji për Arsimin e Mesëm (Neni 7) ndalon në mënyrë të qartë organizimin dhe aktivitetin fetar, organizimin e edukimit fetar, si dhe shfaqjen e simboleve fetare në shkollat e mesme. Ligjvënësi bëri një dallim të qartë midis shkollave të rregullta dhe atyre të specializuara, ku këto të fundit synojnë ekskluzivisht përmbushjen e nevojave të brendshme të bashkësive fetare. Projektligji nuk përmban mekanizma për mbikëqyrje, sanksione ose kontroll. Nuk përcaktohet se kush do të jetë përgjegjës për zbatimin e tij, kush do të monitorojë nëse dispozitat po respektohen dhe kush do të vendosë masa në raste shkeljesh. Përveç kësaj, ai hap mundësinë që shkollat fetare të marrin fonde nga buxheti i shtetit, ndërsa kontrolli mbi shpenzimet do të mbahet nga vetë bashkësitë fetare”, thuhet tutje në reagim.  

Nga aty kujtojnë se, Neni 4 i projektligjit përcakton që vetë shkollat fetare lëshojnë dokumente publike në bazë të statutit të tyre, gjë që është në kundërshtim me rregullat ekzistuese ku forma dhe përmbajtja e certifikatave përcaktohen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.  

“Çështja e ekuivalencës së diplomave të tilla mbetet e pazgjidhur. Teksti ligjor kërkon ndarjen dhe autonominë e shkollave fetare, por në të njëjtën kohë kërkon barazimin e tyre me shkollat shtetërore për sa i përket të drejtave të nxënësve. Një qasje e tillë është kontradiktore dhe ligjërisht e parealizueshme. 

Neni 6, paragrafi 2, nuk përcakton kritere të qarta për stafin mësimdhënës, por lë një boshllëk ligjor për sa i përket asaj se kush mund të japë mësim përmbajtje fetare. Ekziston gjithashtu një mospërputhje ligjore midis nenit 7, paragrafi 8 dhe paragrafit 11, i cili krijon marrëdhënie të pacaktuara midis themeluesit dhe Ministrisë për sa i përket verifikimit të kurrikulës. Neni 11 është veçanërisht i diskutueshëm sepse lejon provimin e maturës shtetërore si kusht për regjistrim në çdo fakultet, ndërsa në të njëjtën kohë lejon regjistrimin në fakultetet fetare pa kaluar provimin e maturës. Ky rregullim i dyfishtë hap hapësirë për abuzime, pabarazi dhe diskriminim institucional. Rrjeti për Mbrojtjen nga Diskriminimi kërkon tërheqjen e menjëhershme të Projektligjit dhe i bën thirrje Qeverisë që t’i përmbahet parimit kushtetues të sekularizmit. Miratimi i një ligji të tillë përfaqëson një largim serioz nga vlerat demokratike dhe qytetare dhe një kërcënim të drejtpërdrejtë për të drejtat e studentëve dhe integritetin e sistemit arsimo”, përfundon reagimi

Related Articles

Back to top button
Close
Close