LajmeMaqedoniOpinion

EVROPA SI ALIBI

 Shkruan Muhedin Brava
Prej vitesh, diskursi politik në Maqedoninë e Veriut është ndërtuar mbi një premtim të përsëritur: integrimin në Bashkimin Evropian. Këtij rrugëtimi i janë bashkangjitur sakrifica, kompromise dhe një retorikë e vazhdueshme që ka ushqyer pritshmëritë qytetare për një të ardhme evropiane, demokratike dhe funksionale. Por realiteti që kemi përpara është i ndryshëm dhe i rrezikshëm. Maqedonia e Veriut sot ndodhet në një udhëkryq të thellë, ku ndikimet e huaja jo vetëm që janë bërë të dukshme, por po përcaktojnë drejtimin strategjik të shtetit.
Rusia ka përhapur rrënjë përmes propagandës, mediave dhe rrjeteve sociale, duke ushqyer mosbesim ndaj Perëndimit dhe duke shtyrë përçarje etnike mes bashkësive që e përbëjnë këtë shoqëri. Kina, me investimet e saj të mëdha dhe shpesh jotransparente, ofron varësi të rrezikshme ekonomike, që në pamje të parë duket atraktive, por në thelb është një kurth afatgjatë. Ajo që është bërë edhe më shqetësuese është rikthimi aktiv i projektit të “botës serbe”, një agjendë që, përmes lidhjeve politike, kulturore dhe religjioze, po tenton të forcojë ndikimin e saj në të gjithë rajonin, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut. Kjo nuk është nostalgji ballkanike për të kaluarën. Është një strategji aktive, e sinkronizuar dhe shumë e rrezikshme për të ardhmen e vendit.
Të gjitha këto nuk janë hamendësime apo teori konspirative. Janë fakte të dokumentuara në raportet e Bashkimit Evropian, të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe organizatave ndërkombëtare që monitorojnë zhvillimet në Ballkanin Perëndimor. Raporti i fundit i Komisionit Evropian thekson ndikimin në rritje të Kinës, përkeqësimin e klimës së sundimit të ligjit dhe orientimin politik të vendit drejt bllokut lindor. Megjithatë, përballë këtyre fakteve, propaganda vendore vazhdon të ushqejë qytetarët me fjalë boshe për “rrugë euroatlantike” dhe “kompromise historike”, ndërkohë që çdo standard demokratik zhbëhet dhe çdo mundësi e vërtetë për integrim shtyhet pafund.
Në këtë rrjedhë të errët, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut mbeten të diskriminuar dhe të nënvlerësuar. Ata trajtohen si qytetarë të dorës së dytë në institucione, në gjuhë, në drejtësi dhe në zhvillimin ekonomik. Barazia nuk është privilegj që kërkohet, është e drejtë që duhet të garantohet. Nëse shteti nuk të njeh si të barabartë, atëherë nuk është atdhe por është iluzion. Nuk mund të ketë integrim të vërtetë në BE kur një pjesë e qytetarëve trajtohen si dekor politik apo si alibi për multikulturalizëm të rremë.
Maqedonia e Veriut ka një zgjedhje përpara: ose do të punojë me përkushtim për një të ardhme evropiane, transparente dhe demokratike, ose do të fundoset në vorbullën e ndikimeve të huaja që nuk i duan qytetarët e saj si të lirë, por si të nënshtruar. Kjo nuk është më thjesht një çështje politike por është çështje mbijetese. Dhe në këtë sfidë, shqiptarët nuk janë as peng e as shërbëtor i ëndrrave të rreme të një shteti që nuk i njeh si faktor. Jemi qytetarë me të drejta të plota, me kontribut të pazëvendësueshëm dhe me vizion për të ardhmen.
Nëse Maqedonia do ta ndërtojë të ardhmen e saj mbi themele të shëndosha, ajo duhet të zgjedhë integrimin e vërtetë, dhe jo imitim fasadash. Duhet të zgjedhë barazinë reale, dhe jo përfaqësimin simbolik. Duhet të zgjedhë ndershmërinë dhe jo propagandën. Në të kundërt, do të jetë shumë vonë. Dhe kur vonohemi në mbrojtjen e të drejtave dhe të lirisë, gjithmonë paguajmë më shtrenjtë më pas.

Related Articles

Back to top button
Close
Close