
Sekretari i përgjithshëm i ASH-së, Blerant Ramadani përmes një postimi i është përgjigjur zëvendëskryeministrit Arben Fetai duke i kërkuar të tregoj se çfarë ka bërë si zëvendëskryeministër, shkruan Top24
Në rrethana normale, nuk do ndalesha as një sekondë tek një shpifje kaq e ulët. Por për hatrin e shumë aktivistëve që më kanë shkruar të mllefosur, ndjej përgjegjësi morale të them disa fjalë.
Njerëzit më njohin. Asnjëherë në jetën time s’kam lënduar qytetar, e lëre më aktivistë, përkundrazi, kam qenë pranë tyre në çdo betejë. Nuk i përgjigjem dot një njeriu që, në vend se të flasë për çfarë ka bërë si zëvendëskryeministër për një vit, merret me intriga të ulëta.
Dhe që poashtu, gjatë gjithë mandatit të tij, nuk kemi parë asnjë proces të vetëm të lëvizur në dobi të strukturave tona, as punësime, as mbështetje konkrete, as zë në mbrojtje të interesave tona. Heshtje dhe distancë. E tani papritur u kujtua të bëhet “i zëshëm”, por jo për popullin, për veten.
E kuptoj se mbase dhimbja më e madhe është ajo që s’arriti të bëhej sekretar i Aleancës. Por të kafshosh dorën që të ka ushqyer, partinë që të solli aty ku je, është më shumë shenjë karakteri sesa qëndrimi politik.
Unë s’kam as kohë, as interes për uluritjet e egos së lënduar. Si gjithmonë preferoj të flas me vepra, jo me viktimizime. Kush ka sy, sheh. Kush ka memorie, kujton. E kush ka dinjitet, hesht kur s’ka ç’të thotë.



