
Shkup — Ish-presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka hedhur poshtë pretendimet e qeverisë se dokumenti i miratuar së fundmi me Mbretërinë e Bashkuar përbën një marrëveshje strategjike mes dy vendeve. Në një deklaratë për Deutsche Welle, Pendarovski theksoi se “nuk është nënshkruar asnjë marrëveshje partneriteti strategjik me Britaninë”, duke e cilësuar dokumentin e ratifikuar të mërkurën si një “memorandum bashkëpunimi” ose “letër synimi fillestare”.
Sipas tij, dokumenti nuk përmban asnjë projekt konkret dhe përmend vetëm katër fusha bashkëpunimi në të cilat ende nuk janë ngritur grupet punuese për të përcaktuar përmbajtjen. “Nuk ka asgjë strategjike në këtë dokument. Ai flet vetëm për një gatishmëri të Londrës për të ofruar kredi për projekte infrastrukturore që ende nuk janë identifikuar nga asnjëra palë,” u shpreh Pendarovski.
Ai shtoi se ekziston mundësia për një marrëveshje të dytë në të ardhmen, e cila do të përfshinte aspektet strategjike të marrëdhënieve mes dy vendeve, por deri atëherë, sipas tij, nuk mund të flitet për një partneritet të tillë. “Nëse jemi gjallë e mirë, ndoshta një ditë do të ndodhë edhe ajo marrëveshje tjetër. Por kjo që është tani, nuk ka lidhje me strategjinë. Është thjesht një marrëveshje parimore – të ulemi dhe të shohim se për çfarë keni nevojë për kredi,” përfundoi Pendarovski.



