
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi sot do të prezantojë Raport me rastin e njëvjetorit të mandatit. Në ditën e sotme, vitin e kaluar u konstituua edhe përbërja e re parlamentare – e 11-ta me rradhë që nga fillimi i pluralizmit në vend.
Pas zgjedhjeve dhe dhënies së deklaratës solemne, Gashi iu drejtua foltores së Kuvendit, fillimisht duke ju falënderuar qytetarëve për besimin në zgjedhjet parlamentare, e pastaj deputetëve për mbështetjen në udhëheqjen e Dhomës ligjvënëse.
Në deklaratën e tij të parë si kryetar, Gashi tha se është i vetëdijshëm për përgjegjësinë që e ndërmerr, duke theksuar se gjatë kryesimit me Dhomën ligjvënëse, çdo deputeti do t’i garantohet e drejta për të shprehur pikëpamjet dhe mendimet e tij politike.
Pas më shumë se tre dekadash demokraci, tha Gashi, Kuvendi është vendi i duhur ku duhet të tregojmë në vepër se respektojmë mendimet e ndryshme.
Gashi e mori funksionin nga paraardhësi i tij, Jovan Mitreski. Në deklaratë pas pranim-dorëzimit të funksionit, Mitreski e uroi Gashin për zgjedhjen, theksoi se Kuvendi është institucioni më i rëndësishëm në vend dhe se është shumë me rëndësi të vazhdohet me përforcimin e pavarësisë së pushtetit ligjvënës në vend.
Në përbërjen parlamentare ka deputetë nga gjashtë subjekte politike, që morën pjesë të pavarur ose në koalicion në zgjedhjet parlamentare, me listat e tyre në gjashtë njësi zgjedhore. Koalicioni “MAQEDONIA E JUAJ” – VMRO-DPMNE-ja ka 58 mandate në Kuvend, ndërsa koalicionet “PËR TË ARDHME EVROPIANE” – LSDM-ja dhe “FRONTI EVROPIAN” kanë nga 18 vende të deputetëve. Koalicioni “VLEN” fitoi 14 mandate, ndërsa partitë “E Majta” dhe ZNAM nga gjashtë mandate.



