
Deputetja e Frontit Europian, Ilire Dauti përmes një postimi në profilin e saj në FB ka alarmuar se nësër në seancën plenare të parlamentit do të vihet në rrezik fshirja e 260.000 qytetarëve shqiptarë, shkruan Top24
Nesër në Kuvend – në rrezik përfaqësimi i 260.000 qytetarëve, shumica shqiptarë!
Në shtator të vitit të kaluar, në heshtje dhe pa asnjë kundërshtim nga pjesëmarrësit në Qeveri, kaloi vendimi për përjashtimin e 260.000 qytetarëve nga përllogaritja për përfaqësim në punësime, buxhet dhe pushtet lokal. Prej tyre, 66% janë shqiptarë, mbi 172.900 persona.
Tani, ky vendim po tentohet të bëhet ligj, përmes ndryshimeve në Ligjin për vetëqeverisjen lokale, që nesër do të jetë në seancë plenare në Kuvend. Kjo nënkupton që mërgata jonë – pjesë e pandarë e popullit – të fshihet nga numri i këshilltarëve në komunat tona.
Kjo nuk është vetëm padrejtësi statistikore, por një goditje e rëndë ndaj përfaqësimit politik të shqiptarëve dhe të gjithë qytetarëve që jetojnë jashtë përkohësisht, por që mbajnë lidhje të forta me vendlindjen.
Vetëm nga ndarja e kredisë hungareze, vendbanimet shqiptare morën afro 8.5 milionë euro më pak. Tash po zvogëlohet edhe numri i këshilltarëve.
Të flasim me fakte tani, që të mos mbetemi duke numëruar pasojat më vonë.



