
Ligji i ri për sigurinë kibernetike pritet të kalojë procedurë qeveritare deri në fund të këtij muaji dhe të hyjë në procedurë parlamentare në fillim të qershorit, thotë Ministri i Transformimit Digjital Stefan Andonovski.
Andonovski pret që zgjidhja ligjore të mbështetet nga të gjithë deputetët.
“Duke marrë parasysh se si sulmet kibernetike po synojnë infrastrukturën kritike dhe sa të cenueshme mund të jenë sistemet e furnizimit me energji elektrike dhe sistemet e prodhimit të energjisë elektrike, ky samit, i cili do të diskutojë politikat e digjitalizimit në aspektin e energjisë, është me rëndësi të jashtëzakonshme. Shpresoj që në periudhën e ardhshme të ndërtojmë sistem të plotë që do të mbrojë këtë ministri dhe sigurisht kapacitetet e disponueshme të Maqedonisë në sektorin e energjetikës”, tha Stefan Andonovski – Ministër i Transformimit Digjital.
Ministrja e Energjetikës Sanja Bozhinovska thotë se ligji për sigurinë kibernetike do të përqendrohet kryesisht në energji, me qëllim parandalimin e sulmeve si në të kaluarën dhe për të pasur sistem energjetik më të qëndrueshëm.
“Energjetika është shumë e rëndësishme dhe siç e dini, vitin e kaluar MEPSO pati sulm kibernetik, zgjati disa muaj, është një infrastrukturë kritike për të gjithë vendin dhe ne duhet t’i japim theks më të madh këtu, domethënë të mbrohemi si për linjat e transmetimit ashtu edhe për të gjithë prodhimin dhe komunikimin tonë me hidrocentralet dhe termocentralet, ato janë shumë të rëndësishme me rëndësi kombëtare dhe kudo në botë”, u shpreh Sanja Bozinoska – Ministre e Energjetikës.
Ligji për Sigurinë e Rrjetit dhe Sistemeve të Informacionit do të jetë i detyrueshëm për autoritetet qendrore dhe ekzekutive (Qeverinë, ministritë dhe organet e tjera të administratës shtetërore), vetëqeverisjen lokale (Komunat, Qytetin e Shkupit dhe komunat në Qytetin e Shkupit), autoritetet shtetërore dhe organet rregullatore që janë përgjegjëse para Parlamentit, si dhe për vetë Parlamentin dhe gjykatat.
Ligji nuk do të jetë i detyrueshëm për autoritetet e mbrojtjes, sigurisë dhe zbatimit të ligjit, por këto autoritete mund ta zbatojnë ligjin sipas gjykimit të tyre, veçanërisht nëse nuk kanë vendosur standardet e tyre të sigurisë kibernetike./ Alsat.mk



