
Lidhja Demokratike e Maqedonisë së Veriut, ka dënuar retorikën e kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti, apo siç potencojnë në reagim, kërcënimet për destabilizim të bëra nga Ahmeti. LD u ka bërë thirrje autoriteteve kompetente të ndërmarrin veprime vendimtare për të parandaluar një krizë sigurie dhe politike.
Nëse ish-ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi akuzohet për tragjedinë e Koçanit, Ali Ahmeti do të dalë në rrugë dhe nuk do të kthehet derisa të provokojë udhëheqësit lokalë për të mbajtur zgjedhje të parakohshme parlamentare, tha lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.
Deklaratën e Ali Ahmetit për protesta e ka komentuar edhe kryeministri Hristijan Mickoski. “Nëse është aq i mençur sa paraqitet, Ahmeti do të nxjerrë një mësim dhe në vend që të kërcënojë, do të bëjë reforma strukturore në partinë e tij”, tha kryeministri.
Ndryshe, Ahmeti në një intervistë për “Slloboden Peçat”, paralajmëroi protesta masive për drejtësi pa dallim, në mbështetje të Kreshnik Bekteshit, por edhe në mbështetje të protestave, siç tha ai, të “engjëjve” të organizuara nga prindërit dhe të afërmit e viktimave në tragjedinë në diskotekën “Pulse” në Koçan, ku humbën jetën 62 të rinj dhe u lënduan rreth 200 persona.
“Do të protestojmë për Kreshnikun. Nëse Ali Ahmeti del në rrugë, nuk do të ketë kthim prapa. Ne gjithashtu do të mbështesim kërkesat dhe protestat e familjarëve të fëmijëve të vrarë në Koçan, të cilët gjithashtu kërkojnë drejtësi jo-selektive. Ky proces mund të përfundojë vetëm me zgjedhje të parakohshme parlamentare. Pakoj duhet të përfshijë gjithashtu vetingun e të gjitha partive politike nga viti 1991 deri më sot. Vetingu i të gjithë zyrtarëve në lidhje me origjinën e pasurive të tyre nga viti 1991 deri më sot. Vetingu i procesit të privatizimit të pronës shtetërore pas vitit 1991. Vetingu nën mbikëqyrjen ndërkombëtare të gjyqtarëve, prokurorëve publikë dhe vetë policisë, përfshirë të gjithë politikanët”, tha Ahmeti.
Ish ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi vazhdon të mbetet në paraburgim.



