
Përveç mishit me salmonelë dhe luleshtrydheve të kontaminuara me pesticide, konsumatorët shqiptarë janë ekspozuar edhe ndaj një tjetër rreziku serioz shëndetësor: qumështi i ndotur me aflatoksinë, një substancë kancerogjene.
Sipas një raportimi nga “JOQ Albania”, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka zbuluar prani të aflatoksinës në qumështin e dy prej markave më të njohura në treg: “Lufra” dhe “Erzeni”.
Kontrolli u krye në territorin e Vlorës nga janari deri në prill 2025, ku nga 26 mostra të analizuara, 10 rezultuan të kontaminuara, një përqindje shqetësuese prej 40%.
Sasia e qumështit të kontaminuar është tërhequr nga tregu në dy pika shitjeje, ndërsa AKU ka nisur hetimet për të zbuluar burimin e ndotjes dhe për të parandaluar shpërndarjen e mëtejshme të produktit të rrezikshëm.
Ky zbulim ka shkaktuar indinjatë të madhe në publik, duke rritur presionin mbi institucionet për të vepruar, në një kohë kur skandalet ushqimore në vend po shtohen dhe autoritetet duket se janë më të përqendruara te fushatat elektorale sesa te mbrojtja e shëndetit të qytetarëve.



