BotaLajme

Türkiye shënon Ditën e Sovranitetit Kombëtar dhe Ditën e Fëmijëve

Me ceremoni dhe manifestime të ndryshme, Türkiye sot shënon festën e dyfishtë, Ditën e Sovranitetit Kombëtar me rastin e 105-vjetorit të themelimit të parlamentit dhe Ditën të Fëmijëve.

Ngjarjet përfshijnë ceremoni shkollore, parada dhe shfaqje nxënësish dhe një ndryshim simbolik të roleve ku fëmijët marrin postet zyrtare sipas një tradite të gjatë.

Në kryeqytetin Ankara, zyrtarët e lartë bënë homazhe në Anitkabir, mauzoleumin e Mustafa Kemal Ataturkut, themeluesit të Türkiyes moderne.

Nxënësit u shfaqën të veshur me kostume tradicionale dhe duke valëvitur flamuj turq.

Hapësirat publike, si dhe disa vende pune, organizuan festivale me koncerte, lojëra dhe ekspozita arti, duke pasqyruar natyrën e dyfishtë të festës si një festë patriotike dhe një festë fëmijësh.

– Mesazhe nga zyrtarët

Zyrtarët i bënë homazhe themeluesit të republikës dhe riafirmuan angazhimin për të ushqyer brezat e ardhshëm me vetëdije dhe dashuri.

Nënpresidenti Cevdet Yılmaz e quajti 23 prillin 1920 “një pikë kthese historike” dhe vlerësoi Asamblenë e Madhe Kombëtare si “selinë e Luftës Kombëtare”.

Ai nderoi Ataturkun dhe deputetët themelues, duke thënë se “i kujtojmë me respekt dhe mirënjohje”.

Ministri i Jashtëm Hakan Fidan shprehu mirënjohje për Ataturkun dhe përkujtoi rëndësinë e dyfishtë të ditës. “Kujtoj me respekt, mëshirë dhe mirënjohje themeluesin e Republikës sonë, Mustafa Kemal Ataturkun dhe të gjithë bashkëluftëtarët e tij, dëshmorët dhe veteranët tanë”, tha ai.

Ministria e Mbrojtjes Kombëtare i bëri homazhe Ataturkut si komandant i përgjithshëm, duke pohuar se “sovraniteti i takon pa kushte kombit”.

Drejtori i Komunikimeve i Presidencës turke, Fahrettin Altun tha se 23 Prilli “nuk është vetëm një datë” për Türkiyen, por afirmon vullnetin e popullit dhe ua kalon këtë trashëgimi fëmijëve.

Ai shtoi se misioni i vazhdueshëm është ta ruajnë këtë frymë dhe ta përcjellin me të njëjtin “besim dhe vendosmëri”.

Kryetari i Parlamentit, Numan Kurtulmuş tha se legjislatura “vazhdon punën e saj sot me të njëjtën frymë dhe vendosmëri” si në vitin 1920, duke theksuar “sovranitetin kombëtar” dhe synimet për “thellimin e demokracisë” dhe “rritjen e mirëqenies së popullit tonë”.

Ai e quajti 23 Prillin “një ditë ndërgjegjeje” për fëmijët që përballen me “luftën, migrimin, padrejtësinë dhe varfërinë” dhe pohoi se është “një detyrë e përbashkët e njerëzimit” për të mbrojtur të drejtat e tyre.

“Nuk do të bëjmë kurrë kompromis për idealet e pavarësisë dhe vlerat e Republikës”, tha ai.

Festa shtetërore e Sovranitetit Kombëtar dhe Ditës së Fëmijëve festohet në Türkiye më 23 prill, në ditën kur në vitin 1920 u hap Asambleja e Madhe Kombëtare e Türkiyes. Në këtë ditë në vitin 1924, u vendos që data e themelimit të Asamblesë së Madhe Kombëtare të shënohet si festë kombëtare. Më 23 prill 1929, kjo festë iu dhurua fëmijëve. Që nga viti 1929 festohet si Dita e Sovranitetit Kombëtar dhe në të njëjtën kohë si Dita e Fëmijëve.

Related Articles

Back to top button
Close
Close