
Qeveria e re gjermane do të përbëhet nga tre parti: Unioni Kristian-Demokrat CDU, Partia Socialdemokrate, SPD si edhe Unioni Kristian-Social, CSU.
Marrëveshja përfshin përpjekjet për një reformë të ekonomike dhe sociale. Për të ndezur motorin e ekonomisë gjermane që tashmë ka hyrë në vitin e tretë të recesionit, parlamenti gjerman kishte miratuar më parë një paketë masash qindra milionëshe.
Por tarifat e presidentit amerikan e detyrojnë koalicionin e mundshëm të ardhshëm që të marrë masa shtesë për lehtësimin e industrisë: Për shembull duke ulur taksat për sipërmarrjet, reduktimin e tatimeve mbi energjinë dhe përjashtimin nga tatimi të orëve shtesë të punës. Por aty vihet re dhe një ashpërsim i ndjeshëm i politikës së emigracionit.
Merz njoftoi masa të reja si kontrollet dhe kthimet në kufi, përfundimin e programeve të pranimit vullnetar, si për shembull për refugjatë nga Afganistani, dhe pezullimin e bashkimit familjar për refugjatët e luftës.
“Ukrainasit që do të vijnë tani e tutje në Gjermani nuk do të përfitojnë automatikisht ndihma sociale. Ligji i shtetësisë do të ndryshojë gjithashtu. Nuk do të ketë më shtetësi të përshpejtuar pas vetëm tre vitesh qëndrimi në Gjermani”, shprehet Merz.
Koalicioni synon gjithashtu të kufizojë rregulloren e Ballkanit Perëndimor, e cila deri më tani lejonte ardhjen e rreth 50 mijë punëtorëve të pakualifikuar në vit. Numri do të përgjysmohet në 25 mijë. Si tregues i ashpërsimit të qëndrimit Ministria e Brendshme do t’i kalojë partisë bavareze Unionit Kristian-Social, CSU.
Procesi i Berlinit megjithatë do të vazhdojë të mbetet i rëndësishëm dhe do të vijojë të jetë një platformë aktive për t’u ofruar vendeve të rajonit perspektiva të qarta dhe të qëndrueshme për anëtarësim në BE.


