
Kryetari i Lëvizjes ZNAM, Maksim Dimitrievski, duke komentuar takimin e djeshëm të kryeministrit Hristijan Mickoski dhe liderit të LSDM-së Venko Filipçe tha se mirëpret dialogun në politikë por se sipas tij krijuesi i problemeve nuk mund të jetë edhe krijues i zgjidhjeve.
”Të njëjtët që na sollën në këtë situatë nuk duhet të lejohen të jenë krijues të zgjidhjeve. Ne kemi një qeveri legjitime, stabile, me shumicë absolute, e cila është përgjegjëse për gjetjen e zgjidhjeve”, theksoi Maksim Dimitrievski në Ditarin e Tv Sitell.
Sipas kryetarit të ZNAM-it, Filipçe shfaq “hipokrizi të pastër” me të cilën dëshiron të arrijë efektin e një lideri të vetëshpallur të opozitës dhe për momentin është vetëm kryetar i një partie politike opozitare. Dimitrievski nuk e përjashton mundësinë që liderë të tjerë partiakë nga opozita të kërkojnë “forma të tilla të dialogut”.
Sa i përket takimit të mundshëm të lidershipit, Dimitrievski nuk e përjashton praninë e tij, ndonëse konsideron se takime të tilla, siç theksoi, janë më shumë debat ndërmjet përfaqësuesve politikë dhe qeveria gjithmonë merr përgjegjësi për të gjitha veprimet.
“Përplasjet” ndërmjet nënkryetarit të Kuvendit Antonio Milloshoski dhe ministrit të Drejtësisë Igor Filkov, Dimitrievski i cilëson si shprehje dhe qëndrime personale, duke nënvizuar se VMRO-DPMNE dhe ZNAM nuk kanë ndonjë çështje të hapur që do të prishte funksionimin e Qeverisë dhe shumicës parlamentare.
Gjithmonë jemi të gatshëm për bisedë dhe dialog, sidomos kur janë në pyetje interesat shtetërore dhe kur ka nevojë për kompromise dhe arritjen e konsensusit, por do të ishte keq të vendoset një praktikë ku edhe krijuesi i problemeve është pjesë përbërëse e zgjidhjeve. Ne kemi një Rregullore të re në Kuvend që lë shumë hapësirë për diskutim në kuadër të një procedure legjitime gjatë miratimit të ligjeve dhe afatet janë shtyrë dhe mendoj se kjo duhet reduktuar në grupet parlamentare. Për të gjitha zgjidhjet e reja të ardhshme, mendimet e ekspertëve janë gjithmonë të mirëseardhura në procedurat tashmë të paraplanifikuara. Ta marrim shembull, si do të hyjnë tani në procedurë për krijimin e një zgjidhjeje të re ligjore lidhur me ndryshimet në Kodin Penal, ata që miratuan Ligjin Penal më kontrovers, i cili u lejoi amnisti një numri të madh të njerëzve të pushtetit të kaluar dhe një pjesë të mirë të njerëzve të periudhës së qeverisjes së Gruevskit? Po, të gjitha pikëpamjet janë të mirëseardhura, edhe dialogu, por mendoj se krijuesit të problemeve nuk duhet t’i jepet mundësia të jetë krijues i zgjidhjeve”, tha Dimitrievski.



