
Me tre nene të reja të Ligjit për të drejtat e autorit, shpërndarja dhe publikimi në internet i lajmeve do të behet me rregulla të reja. Definicioni “vepër e autorit” zgjerohet me përfshirjen e veprës së gazetarit një kategori e re, ndërsa agregatorët e lajmeve që raportojnë publikisht titujt nga artikujt, lajmet ose vepra të tjera të ngjashme – do t’u kërkohet të lidhin një marrëveshje licencimi, si edhe të paguajnë për lajmet.
Një kategori e re e veprës autoriale – vepra gazetareske do të jetë pjesë e ndryshimeve të Ligjit për të drejtat e autorit, që do të diskutohen në seancën e së enjtes në Komisionin parlamentar të kulturës dhe turizmit. Me vepër gazetareske përfshihen kontribute tekstuale, fotografike dhe audiovizive, të publikuara si pjesë e punës gazetareske ose si përmbajtje e pavarur mediatike në formë digjitale. Shpërndarja e të cilave i vë agregatorët e lajmeve përpara përgjegjësisë ligjore për të lidhur kontratë licencimi me autorin e lajmit dhe pagesën e honorarit ndaj tij.
Në arsyetimin që shoqëron amendamentet e propozuara thuhet se ndryshimet ligjore kanë si qëllim të rregullojnë marrëdhëniet ndërmjet agregatorëve të lajmeve dhe autorëve të veprave gazetareske, me qëllim mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve dhe botuesve të medias në mjedisin digjital dhe për të siguruar kompensim të drejtë për përdorimin e përmbajtjes së tyre.
“Në rastin e komunikimit publik të një titulli nga një artikull, statusi apo vepër tjetër të ngjashme, personi që komunikon publikisht përmes agregatorit të lajmeve është i detyruar të lidhë një marrëveshje licencimi me titullarin e veprës me të drejtë autori, e cila përcakton kushtet për shkarkimin dhe shpërndarjen e përmbajtjes përmes internetit. Kjo marrëveshje licencimi përfshin përcaktimin e një honorari për të drejtën e autorit dhe detyrimin e agregatorit për të ofruar vetëm një lidhje hiperlinku me përmbajtjen, titullin, foton dhe logon e medias, pa ndryshuar kontekstin e përmbajtjes origjinale”, thuhet në nenin 3 që i shtohet Ligjit ekzistues për të drejtat e autorit.
Neni i parë, që përkufizon domethënien e veprës gazetareske, synon të mbrojë të drejtat e gazetarëve dhe mediave nga shkarkimi dhe përdorimi i paautorizuar i përmbajtjes së tyre, duke siguruar një mjedis të barabartë dhe të qëndrueshëm të mediave dixhitale.
Neni 2 që përcakton pjesët përbërëse të veprës së gazetarit – titulli, fotografia dhe hyrja (koka e lajmit), garanton se edhe këto pjesë mbrohen nga e drejta e autorit, duke parandaluar shkarkimin ose ndryshimin e paautorizuar të tyre.
Neni 3 rregullon raportet mes agregatorëve të lajmeve dhe autorëve të tyre, duke mbrojtur mediat nga përdorimi i paautorizuar i përmbajtjes së tyre – pa kompensimin e duhur.
Ndryshimet bëhen në përputhje me nenin 15 të Direktivës (BE) 2019/790 për të drejtën e autorit në Tregun Unik Dixhital, i cili parashikon mbrojtjen e të drejtave të botuesve të mediave në përdorimin digjital të përmbajtjes së tyre, duke u lejuar atyre të drejtën e shpërblimit kur grumbullojnë dhe ndajnë publikimet e tyre, duke forcuar kështu statusin ligjor të përmbajtjes së autorit dhe duke siguruar ekuilibrin midis aksesit mediatik dhe mbrojtjes së të drejtës së autorit.



