
Autoritetet ligjzbatuese kanë arrestuar të martën një shtetas, i cili u shtir si biznesmeni dhe ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, duke arritur t’i marrë një hoteli në kryeqytet shumën e 25 mijë eurove.
Nga të dhënat që zotëron Albanian Post, mësohet se personi ka kontaktuar me Radisson Collection Morina Hotel, i sipërmarrësit Julian Morina, duke i kërkuar disa mijëra euro të cilat pretendoheshin se do të shkonin për Iftar.
Me një shkrim me problematika të theksuara gramatikore, të cilat bien në sy, mjaftoi vetëm një emër kontakti “Behgjet Pacolli” dhe bashkangjitur foton e ish-presidentit të Kosovës, për t’ia dalë mbanë që të gënjejë financierët e këtij hoteli.
Pamjet që disponon AP-ja, zbulojnë personin, i cili hyn i shkujdesur në ambientet e hotelit duke veshur një kapele në përpjekje për të mbuluar portretin e tij.
Ai ka arritur, që përmes skemës së mashtrimit të marrë njëherë 12 mijë euro, ndërsa herën e dytë 13 mijë euro të tjera.
Këtij rrengu, nuk i kanë shpëtuar as figura të tjera të njohura, si presidenti i klubit të futbollit Partizani, Gaz Demi, por me këtë të fundit nuk ia doli dot mbanë.
Siç mëson AP-ja, autoritetet dyshojnë se mbrapa tij fshihet një grup i struktuar, për të cilin kanë nisur edhe hetimet e imtësishme dhe detaje të tjera priten në vijim.



