
Nuk besojnë më në sistemin e shtetit. Në redaksinë e TV21 arrijnë shqetësime nga kompani në lidhje me kualitetin e ndërtimeve. Kompania CeaCon në reagimin e saj thotë mos dashtë Zoti të ndodhë ndonjë tërmet.
Reagimi i plotë:
Në vitet 2011 dhe dy here radhazi deri në 2018, procesi i legalizimit të objekteve në Republikën e Maqedonisë shënon një moment kritik për të ardhmen e sigurisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm të shoqërisë sonë. Legalizimi i strukturave inxhinierike vetëm me një elaborat gjeodezik, pa kaluar nëpër filtrat e normativave të ligjit të ndërtimit, përbën një rrezik të madh që nuk mund të injorohet.
Fatkeqësisht, ndodhitë e fundit, nga zjarret dhe fatkeqësi të tjera, janë pasojat e një sistemi të dobët që nuk e vlerëson sigurinë e qytetarëve. Mosrespektimi i normativave dhe rregulloreve teknike na çon drejt një dështimi kolektiv, dhe është e papranueshme që kjo të vazhdojë pa një reagim të fortë dhe të menjëhershëm.
Ligji i legalizimit të objekteve, në formën e tij aktuale, është një krim ndaj shoqërisë. Të lejohet që struktura të legalizohen pa një kontroll teknik të plotë është një çmenduri që duhet të ndalet menjëherë. Ne si shoqëri po trashëgojmë një të ardhme të pasigurt, plot “bomba të padukshme” në çdo ndërtim që është realizuar në mënyrë të paligjshme.
Kjo është një thirrje për të gjithë ne: të kërkojmë përgjegjësi nga institucionet tona, të ndihmojmë në krijimin e një sistemi të fortë që siguron mbrojtjen e jetëve dhe pronave tona. Ne duhet të punojmë së bashku për të rivendosur besimin në sistemin e ndërtimit dhe për të siguruar që çdo strukturë të plotësojë standartet e sigurisë.
Të shpresojmë se tërmetet e tilla, si ajo e 26 korrikut 1963, nuk do të përsëriten, se përndryshe ajo që do ballafaqohemi në të ardhmen do jetë shumë më e dhimbeshe se të gjitha fatkeqësitë e viteve te fundit.



