LajmeMaqedoniRajonTopLajm

Alarmi i çuditshëm në Beograd, protestuesit në panikë

Protesta në Beograd ka përfunduar. Në protestë u mblodhën shumë njerëz. Sipas pretendimeve të policisë, protestuesit ishin 107,000. Megjithatë, shumë besojnë se protestuesit ishin disa herë më shumë.

Edhe pse u fol për trazira të mundshme, protesta kaloi pa incidente të mëdha. Vetëm nga fundi pati disa përplasje, por më pas studentët që organizuan protestën njoftuan se ajo kishte përfunduar.

Në fund të protestës ka ndodhur një situatë e çuditshme. Ishte gjatë 15 minutave heshtje për 15 viktimat e tragjedisë në Novi Sad tre muaj më parë, për çka edhe kanë nisur protestat.

Dhjetëra mijëra njerëz qëndruan të heshtur për 15 minuta. Mirëpo, në një moment u dëgjua një zhurmë e madhe. Në atë moment, rruga e mbushur me protestues u zbraz papritur.

“Nga drejtimi i Beograxhanka, turma filloi të ndahej shpejt në dy pjesë. Nuk munda të shihja nëse ishte një makinë apo ndonjë lloj përleshje dhe reagimi i papritur i njerëzve. Në rreth dhjetë sekonda, njerëzit u mblodhën në njërën anë të rrugës ose në tjetrën. Kishte frikë të madhe, shumica e njerëzve as që mund të kuptonin se çfarë po ndodhte”, njofton N1.

Është e mundur që njerëzit në turmë menduan se dikush po drejtonte një makinë drejt tyre.

“Një grup njerëzish u nisën në atë drejtim, drejt qendrës së qytetit, disa për kuriozitet, e disa për të mbrojtur të rrezikuarit. Zemërimi mbretëroi, por tani duket se është qetësuar pak”, raporton N1.

Sipas ekspertëve ushtarakë, zhurma e fortë që theu 15 minutat e heshtjes së protestuesve ishte shkaktuar nga një ‘top zanor’, një armë jo vdekjeprurëse që përdoret për të çorientuar dhe frikësuar turmat, shkruan N1.

Vëzhguesit e sigurisë dhe analistët ushtarakë, përfshirë Aleksandar Radiq, kanë konfirmuar për mediumin se se ky mjet është pjesë e arsenalit të sigurisë shtetërore serbe dhe është përdorur me qëllimin e qartë për të destabilizuar protestën paqësore.

“Pyetja kryesore është: kush dha urdhrin për përdorimin e kësaj arme? Në një moment kur protestuesit ishin të qetë dhe po nderonin viktimat, regjimi vendosi të demonstrojë forcën në mënyrë brutale. Ky është një akt arrogance dhe një shfaqje e hapur e urrejtjes ndaj qytetarëve të tij,” deklaroi Radiq për portalin N1.

Edhe deputeti opozitar Zdravko Ponos ka deklaruar se informacionet që ka marrë konfirmojnë përdorimin e një arme zanore për të frikësuar protestuesit.

“Reagimi i njerëzve, ndjesia se diçka u kaloi pranë, është një efekt i qëllimshëm i kësaj arme. Ajo u përdor për të krijuar panik dhe për të trembur qytetarët,” ka deklaruar ai.

Një top zanor, i njohur gjithashtu si një armë akustike ose armë me energji të drejtuar, është një pajisje që lëshon valë të fuqishme zanore ose për të shkaktuar shqetësim fizik ose për të çorientuar individët.

Çka është ‘topi zanor’?

Topi zanor është një armë jo vdekjeprurëse që përdoret për të shkaktuar zhurma shumë të forta, me qëllim të çorientimit dhe frikësimit të turmave. Kjo armë përdor teknologjinë për të krijuar një shpërthim zanor të fuqishëm, i cili mund të ndikoje drejtpërdrejt në dëgjimin e individëve, duke shkaktuar konfuzion dhe pasiguri, dhe shpesh i detyron ata të largohen nga zona e goditur.

Topat zanorë përdoren kryesisht nga forcat e sigurisë për të menaxhuar situatat e tensionuara gjatë demonstratave ose protestave, duke i penguar protestuesit të veprojnë ose të organizohen siç mund të ndodhte pa një ndërhyrje të tillë.

Përveç kësaj, përdorimi i këtyre armëve është shpesh i diskutuar në lidhje me efektet e mundshme negative që mund të kenë ato mbi shëndetin e individëve, siç është dëmtimi i dëgjimit.

Teknologjia pas topave të zërit funksionon duke drejtuar valët e zërit në një rreze të ngushtë. Kjo lejon që zëri të udhëtojë mbi një distancë më të gjatë dhe me më shumë saktësi.

Related Articles

Back to top button
Close
Close